Kandiq për verdiktin në Hagë: E justifikuar pakënaqësia në Kosovë që gati askush nga Serbia s’u dënua

Prishtinë | 16 Sht 2026 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke përmendur pikat e aktakuzës në të cilat u shpallën fajtorë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, Kandiq tha se përgjegjësia penale e të katërve u përcaktua mbi bazën e kontributit të tyre të rëndësishëm “në një ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Megjithatë, ajo thotë se në të njëjtën kohë, pakënaqësia në Kosovë për mungesën pothuajse totale të ndjekjes penale të oficerëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave (VJ) dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) para gjykatave serbe është e justifikuar.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Kandiq thotë se “forcat serbe vranë 6,872 civilë shqiptarë në Kosovë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999”.

“Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i Ushtrisë Jugosllave apo MUP-it nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me veprimet e njësive të UJ-së dhe MUP-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan”.

“Një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe të mbrojë oficerët e UJ-së dhe MUP-it të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë me viktimat dhe të ndjekë përgjegjësinë individuale penale”, u shpreh Kandiq në reagimin e saj në X.

Të ngjashme