Kanë nisur provat për premierën “Kabare 99” – shfaqja e re muzikore që vjen në janar 2026

Prishtinë | 12 Dhj 2025 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Premiera e shumëpritur “Kabare 99”, me regji të Zana Hoxhës, ka nisur zyrtarisht provat dhe pritet të vijë para publikut në janar të vitit 2026. Shfaqja është një koproduksion i Teatrit të Gjilanit dhe Artpolis, duke premtuar një realizim artistik të guximshëm dhe emocional.

“Kabare 1999” vendoset në Kosovën e pasluftës, duke sjellë një rrëfim që ndërthur muzikën, humorin e zi, ironinë dhe reflektimin historik. E frymëzuar nga muzikalja ikonike “Cabaret”, regjisorja Zana Hoxha e zhvendos narrativën nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e vitit 1999 – një qytet që përpiqet të ringrihet, të marrë frymë dhe të gjejë ritmin e jetës pas trauma.

Në qendër të tregimit është Aida, një vajzë që vjen në Prishtinë për të nisur karrierën dhe për të ndërtuar një jetë të re. Ditën punon si shkrimtare, ndërsa natën si bariste në “Klub Europa”, një kabare improvizuese në pronësi të një italiani. Pikërisht në këtë hapësirë ku përzihen realiteti dhe performanca, Aida zhytet në një trekëndësh dashurie, duke eksploruar identitetet e saj dhe dilemat e brendshme.

Shfaqja trajton me delikatesë dhe intensitet kompleksitetin e jetës në Kosovën e pasluftës, duke sjellë në skenë betejat për mbijetesë, nevojën për shpresë dhe dëshirën për të rindërtuar të ardhmen në një realitet ende të brishtë.

“Kabare 99” pritet të jetë një nga premierat më të fuqishme të fillimvitit 2026, duke sjellë një qasje origjinale në teatrin muzikor dhe një reflektim të ndjeshëm mbi kapërcimin e së kaluarës./KultPlus.com

Të ngjashme