Premiera e filmit “Sibyl” në Kanë u rrethua nga luksi, por edhe ndonjë e papritur e vogël.
Aktorja Milla Jovovich kishte zgjedhur një fustan të gjatë ngjyrë argjendi me bisht dhe të derdhur pas trupit, i cili e nxirrte në pah më së miri elegancën e linjave të saj.
Por, ndonëse tejet i bukur, ai duket se nuk ishte shumë praktik në ecje, e këtë Milla e vuri re sidomos kur iu desh të ngjiste shkallët. Fatmirësisht, i shoqi Paul Anderson nuk e pati problem të ulej e t`ia rregullonte, transmeton tch.
Këtë lloj xhentilese e treguan edhe disa pjesëtarë të kastit të filmit, të cilëve iu desh të ndihmonin aktoren belge Virginie Efira. Rripat e sandaleve që ajo mbante në ceremoni zgjidheshin vazhdimisht, ndaj Virginie u fotografua ndërsa pranonte ndihmën e koleges Adele Exarchopoulos, e pastaj edhe asistencën e aktorit Niels Schneider për t’i lidhur.
Pavarësisht këtyre incidenteve të vogla, tapeti i kuq i “Sibyl” ishte një shkëlqim i vërtetë. Komedia e zezë me regji të Justine Triet është filmi i fundit në garë për Palmën e Artë në edicionin e sivjetshëm të filmit, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit në rivierën franceze.