Kanionet e Holtës në Gramsh mblodhën të shtunën në një dëgjesë me banorë të zonës ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe deputetin socialist, Taulant Balla.
Banorët kanë kërkuar nga ministrat përgjigje të prerë: “Do ta ndaloni apo jo? Kaq duam”.
Ministrja Balluku theksoi: “Kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu, do të bashkërendojmë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme, siç është dhe rasti i fundit në Gramsh. Së bashku me ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojmë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave”.
Më tej, Balluku shtoi: “Dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore. Ndaj, na duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive tona natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe që ne shqiptarët kemi”.