Kaos në autobusin e trafikut urban në Prishtinë, pa dorëza, pa maska dhe pa distancë fizike

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Nga sot (18 maj) në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Këtu përfshihet edhe transporti urban, por me masa të shtuara. E në një autobus të “Trafikut Urban” në Prishtinë, duket se këto masa nuk janë respektuar.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat gjatë udhëtimit të tyre me autobusë nëpër kryeqytet.

“Nesër rifillon transporti publik, por me rregulla:  numri maksimal i udhëtarëve ve për autobus – 20, nuk lejohet me hy në autobus pa maska, udhëtarët duhet ta kenë vërtetimin që janë në punë të org. e komp. që janë të lejuara ose të jenë në orarin e tyre të daljes – do të ketë kontrolle të policisë”, ka shkruar Ahmeti një ditë më parë në Facebook.

Por si duket qytetarët sot nuk respektuan këto masa.

Në redaksinë e Gazetës Express ka arritur një fotografi në të cilën shihen qytetarët të cilët nuk i kanë respektuar masat, derisa kanë qenë duke udhëtuar me njërin prej autobusëve të “Trafikut Urban” në Prishtinë.

Ndërkohë, në fazën e dytë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim.

Të ngjashme