Autoritetet amerikane kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës në kufirin meksikan ndaj afërsisht 150 imigrantëve nga vendet e Amerikës Qendrore, njoftoi agjencia amerikane për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare.
Kjo agjenci njoftoi, nëpërmes një deklarate, se gazi lotsjellës nuk është përdorur ndaj emigrantëve që kanë tentuar ta kalojnë gardhin kufitar me tela në Tijuana, por ndaj atyre që kanë gjuajtur me gurë, transmeton KTV.
Sipas deklaratës, përpos personave që kanë hedhur gurë, nga gazi lotsjellës nuk janë prekur fëmijët dhe imigrantët e tjerë.
Zyrtarët amerikanë thanë se kishte përpjekje që fëmijët të kalohen me forcë në anën tjetër të kufirit, por për shkak të gurëve të hedhur nuk kanë arritur t’u dalin në ndihmë.
Siç njoftuan zyrtarët, 25 imigrantë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë kthyer në pjesën meksikane përmes hapësirave të krijuara në gardhin me tela.
Ndërkohë, gazetarë të Associated Press-it raportuan të kenë parë se hedhja e gurëve ka filluar nga zyrtarët amerikanë të cilët kanë gjuajtur tri kapsula me gaz lotsjellës në pjesën meksikane në afërsi të plazhit në Tijuana.
Përndryshe, një karvan prej mbi 7.000 emigrantësh arriti muajin e shkuar në qytetin kufitar të Mekiskës, Tijuana nga vendet e Amerikës Qendrore për të kaluar në SHBA.
Qëllimi i shumicës së emigrantëve, të cilët kanë thënë se kanë braktisur Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin për shkak të korrupsionit, dhunës dhe shtypjeve, është që të hyjnë në territorin amerikan, përkundër paralajmërimeve se do të arrestohen.
Garda kufitare e SHBA-së muajin e kaluar ndërhyri me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve që u përpoqën ta kalojnë kufirin, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se asnjë emigrant nga karvani nuk do të lejohet të hyjë në SHBA pa urdhër të gjykatës.