Katër persona janë arrestuar pasditen e së martës në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, pasi të njëjtit janë kapur me 300 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se tre prej të dyshuarve janë shtetas kosovarë, ndërsa një nga ta është shtetas i Shqipërisë.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj tre kosovarë dhe i dyshuari tjetër shtetas i Shqipërisë, pasi që gjatë kontrollit në veturën me të cilën qarkullonin, janë gjetur dhe konfiskuar 300 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, njofton Policia.
Në konsultim me prokurorin, vetura është sekuestruar ndërsa katër të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.