Një sasi prej mbi 5 kilogramësh heroinë dhe kokainë është sekuestruar nga Policia e Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Drejtimi”. Në pranga kanë rënë dy persona, të dy banues në Maminas, të dyshuar për transportimin e lëndës narkotike drejt Durrësit.
Të arrestuarit, sipas policisë, janë Mirand Herri, 51 vjeç, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Maminas, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Drejtorit të DVP Tiranë, Oliger Torba, operacioni u finalizua pas informacioneve operative të siguruara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, se dy persona do të transportonin një sasi të konsiderueshme droge në zonën e “Treshit”, pranë Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit.
Policia identifikoi automjetin tip “Mercedes-Benz” në rrugën “Kastriotët” dhe ndërhyri për ta ndaluar. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet një çantë me 7 pako me lëndë narkotike.
Në total u sekuestruan: 2 kilogramë e 123.6 gramë heroinë, në 4 pako, si dhe 3 kilogramë e 120.6 gramë kokainë, në 3 pako.
Dy të arrestuarit u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.