Një 24-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka përdorur kartëmonedha të falsifikuara për të kryer pagesa.
Operacioni policor i koduar “Përdorimi” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, shkruan vizionplus.tv.
Sipas hetimeve, shtetasi M. Rr., 24 vjeç, ka furnizuar automjetin me karburant në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, dhe ka paguar me 3 kartëmonedha 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti në portofol edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Në total, u sekuestruan 13 kartëmonedha 20-euroshe si prova materiale.
Policia vijon hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.