Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë, falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge nëpërmjet rrjetit ENFAST.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni i koduar “Ndërveprimi”, i finalizuar nga Policia belge, u bë i mundur pas shkëmbimit në kohë reale të informacionit policor nga strukturat e FAST Albania, të cilat kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e të kërkuarit.
Në pranga ka rënë 29-vjeçari Nasi Hodo, i lindur në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burg për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
“Sipas hetimeve, në korrik të vitit 2017, Hodo, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, vrau me thikë shtetasin P. B. dhe plagosi rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta në fshatin Borsh, Sarandë. Ai gjithashtu akuzohet edhe për plagosjen e një shtetasi tjetër, D. K”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Autoritetet shqiptare dhe ato belge po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 13 vitesh, 6 muajsh dhe 27 ditësh burg.