Një xhihadist gjerman, i lidhur me sulmuesit e 11 shtatorit të 2001, raportohet se është arrestuar nga luftëtarët kurdë në veri të Sirisë.
Një komandant i Forcave Demokratike Siriane, të mbështetura nga ShBA-ja, i tha agjencisë AFP se Mohammed Haydar Zamma, i lindur në Siri, ndodhet tashmë në paraburgim.
Komandanti nuk tha nëse Zammar është i dyshuar për luftë në krahë të grupit militant Shteti Islamik.
Koalicioni global kundër Shtetit Islamik, i udhëhequr nga ShBA-ja, tha se nuk mund t’i konfirmojë raportet.
Forcat Demokratike Siriane kanë arrestuar qindra militantë të huaj të Shtetit Islamik gjatë fushatës për dëbimin e tij nga veriu dhe lindja e Sirisë.
Militantët e arrestuar raportohet se mbahen në kampe pranë Rakës, qytet që ka shërbyer si kryeqytet de facto i “kalifatit” të Shtetit Islamik, derisa ai ka rënë në duart e Forcave Demokratike Siriane, në tetor të vitit të kaluar.
Arrestimi i Zammarit u raportua fillimisht të martën nga gazeta gjermane, Bild.
Zammar është shpërngulur nga Siria në Gjermani në vitin 1971.
Ai raportohet se ka inkurajuar rrëmbyesin e njërit avion më 11 shtator, Mohamed Atta, të marrë pjesë në xhihad të dhunshëm.
Autoritetet gjermane e kanë hetuar Zammarin pas 11 shtatorit nën dyshimet se ka “mbështetur një organizatë terroriste”, por ai është liruar dhe larguar nga Gjermania.