Plani i Egjiptit për t’ia dorëzuar shiritin e kapitenit Mohamed Salahut për t’i kërkuar falje për dështimin që të votojë atë për çmimin e më të mirit të vitit nga FIFA është prishur nga kapiteni i tashëm.
Salah është përfshirë në një polemikë me Federatën e Futbollit të Egjiptit, pasi federata dështoi të regjistronte votat në çmimin e më të mirit nga FIFA muajin e kaluar. Në të vërtetë Federata dorëzoi votat e kapitenit dhe seleksionuesit, por ato u llogaritën si jo të rregullta, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
Ylli i Liverpoolit, që përfundoi në vend të katërt në çmimin e futbollistit të vitit nga FIFA, ngriti dyshime për tërheqje nga përfaqësuesja e Egjiptit pasi largoj çdo referencë me të në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Dhe tentimi i federatës për të fituar sërish atë, duke e bërë kapiten, ka hasur në një pengesë.
“Po, Ahmed Fathit i është kërkuar që t’ia japë shiritin e kapitenit të Egjiptit, Mohamed Salahut”, ka thënë agjenti i Fathit, Nader Shawky për “On Sport”. “Fathi ka mbetur i befasuar nga kjo kërkesë dhe ka refuzuar. Mendoj se ai nuk do të vazhdojë të luajë me përfaqësuese nëse i merret shiriti i kapitenit. Mendimi im është se edhe Salah vetë do të refuzojë të marrë shiritin e kapitenit nga Fathi”.
Mbrojtësi Fathi mbajti shiritin e kapitenit në fitoren 1:0 të Egjiptit në miqësore ndaj Botsuanas më herët këtë muaj. Salah, që ka shënuar 41 gola në 67 ndeshje për Egjiptin, së fundi ka siguruar tifozët se nuk do të lërë që ajo rrëmujë rreth votimit të vërehet te përfaqësuesja, me një postim që bëri në rrjetet sociale.
“Pavarësisht se si mundohen të ndryshojnë dashurinë time për ju dhe njerëzit tuaj, ata nuk do t’ia dalin”, ka shkruar Salah, 27-vjeçar, në Twitter.
Salah vlerësohet ikonë jo vetëm e futbollit të Egjiptit, por e gjithë futbollit në kontinentin e Afrikës. Me Liverpoolin stinorin e kaluar ai fitoi Ligën e Kampionëve dhe doli nënkampion në Premier League. Me Egjiptin vitin e kaluar luajti në Botërorin në Rusi.