Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ka qenë sërish shkak i përplasjes ndërmjet deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, raporton Ekonomia Online.
Pakënaqësia ka nisur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, i cili tha se në projektligj nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ekspertes së Këshillit të Evropës.
Shabani tha se ky projektligj nuk është i dëshirueshmi, pasi edhe në memorandumin që u është dërguar thuhet që ligji do të përafrohet me standardet e Këshillit të Evropës, por rekomandimet e ekspertes nuk janë marrë parasysh.
“Nuk e di nëse në Kuvendin e Kosovës ka pasë më shumë komente për një projektligj se ky. Qëllimi nuk është që të ketë liri të mediave, por është qëllimi i kapjes. Unë nuk do të marrë pjesë në votimin e këtij projektligji”, ka theksuar deputeti Shabani.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti përmendi nenin 42, rreth pronësisë së mediave që sipas ndërkombëtare tregon për ofrimin e transparencës për media.
“Mendojmë se tri elemente duhet t’i kushtohet vëmendje këtij neni: obligimet qe kanë të licencuarit, kemi kërkuar qe brenda ligjit të ketë transparencë për të licencuarit në lidhje me emrat e pronareve të drejtpërdrejtë”.
Lidhur me propozimet e KPM-së, deputeti i pushtetit, Besim Muzaqi tha se duhet shtuar edhe diçka e re në amendamentin e projektligjit.
“Mendoj se është një çështje që duhet të përfshihet në ketë amendament, me qellim qe pronaret përfitues të mos jenë kushdo që fondet e tyre tu kalojnë përmes arkave fiskale, sepse dihet qe këto i ‘shpërlajnë’ mjetet e disa kompanive të cilat i shfrytëzojnë mediat, andaj propozoj e kam një paragraf t’i shtohet këtij amendamenti, pasi mendoj se kjo e plotëson atë: Në shërbim te pluralizmit medial pronarët përfitues nuk bëjnë te jenë ata qe financat e tyre kapërcen përmes të ashtuquajturave parajsës fiskale”, tha Muzaqi.