Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfida më e madhe për institucionet e Kosovës.
Një shtet pa korrupsion po e kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtar, përfshirë edhe zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, i cili kërkoi luftë të pa-kompromis ndaj kësaj dukurie.
Ndërsa indeksi i perceptimit të korrupsionit nga raportet kredi-bile ndërkombëtare vazhdon të mbetet negativ, duke e cilësuar Kosovën si vendin me shkallën më të lartë të korrupsionit në Evropë.
Prokuroria e Shtetit, që është edhe organ përgjegjës në ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale, ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ky institucion ka ngritur aktakuzë ndaj 173 personave të cilët dyshohen të kenë kryer vepra penale të cilat ndërlidhen me korrupsion.
“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, për veprat penale të korrupsionit janë ngritur aktakuza për gjithsej 173 persona”, ka thënë për “Zërin”, Hekrem Luftiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit.
Ndërsa, një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit vazhdon të presë në sirtarët e Gjykatave Themelore.
Aktualisht në të gjitha gjykatat janë 407 lëndë të natyrës korruptive, të cilat janë të trashëguara nga vitet paraprake e që të njëjtat presin për tu shqyrtuar në instancat gjyqësore në të cilat ndodhen.