Ka afro një dekadë që Drilon Hajrizi është prej basketbollistëve më të mirë në vend. Dhe mitrovicasi është kujdesur që basketbolli të jetë temë edhe në fillim të vitit të ri.
Ajo që pritej, ndodhi të dielën mbrëma. Hajrizi 29-vjeçar u prezantua si lojtar i ri i Trepçës, klub në të cilin ishte zhvilluar si lojtar dhe ku kishte arritur famën dhe sukseset e para. Dhe kjo lëvizje është përcjellë me bujë, që pritet të vazhdojë në ditët e ardhshme.
Nuk është e re për Hajrizin. Shumë lëvizje dhe veprime në karrierën e tij kanë bërë bujë dhe janë përfolur shumë. Por kthimi te Trepça përfundimisht do të jetë prej momenteve më të rëndësishme në karrierën e tij.
Është kjo një lëvizje që nuk do të pranohet lehtë nga tifozët mitrovicas, të grupuar te tifo-grupi “Torcida”. Drejtues të Trepçës kanë matur pulsin e tifozëve në prag të realizimit të lëvizjes. Dhe sinjalet nuk kanë qenë shumë miqësore. Refuzuese ishte edhe një komunikatë e lëshuar të dielën nga “Torcida”, pak kohë pasi Hajrizi përmes “facebookut” njoftoi për kalimin te Trepça.
Ai deri më tani ka luajtur për Pejën. Te Peja ishte kapiten dhe prej lojtarëve kryesorë.
Hajrizi kishte udhëhequr Trepçën drejt titullit dhe Kupës në vitin 2012. Një vit më vonë kaloi te Peja. Por për shkak të raporteve mes tifozëve mitrovicas dhe pejanë, lëvizja ishte pranuar. Nuk ishte kapërdirë lehtë kalimi i tij te Prishtina, ndonëse nga Peja, në vitin 2016. Ai ishte fyer e akuzuar nga tifozët mitrovicas, ndërsa shumë probleme pati edhe me tifozët e Prishtinës. Pas shumë e shumë negociatave dhe veprimeve nga palë të ndryshme, “Plisat” kishin pranuar që Hajrizi të bartë fanellën e Prishtinës. Por pajtimi i tyre ishte siguruar me shumë vështirësi.
Më pas Hajrizi luajti një kohë në Japoni, ndërsa në vitin 2019 u kthye te Bashkimi i Prizrenit. Nuk vonoj shumë dhe sërish u kthye te Peja dhe tani po kthehet te Trepça.
Pasi filloj të luaj për Prishtinën, Hajrizit i ishte bërë pritje goxha “armiqësore” në “Minatori”.
Pa bujë nuk ka kaluar as karriera e tij te Kosova. Rreth tri vjet më parë, ishte suspenduar nga Kosova dhe FBK-ja kishte bërë publike këtë. Më pas për një kohë iu mohua e drejta e paraqitjes në basketbollin kosovar. Por Hajrizi u kthye dhe në ndeshjet e fundit ishte kapiten i Kosovës.
Me gjithë episodet e bujshme, Hajrizi mbetet prej lojtarëve më të vlerësuar në basketbollin kosovar. Cilësitë e tij nuk janë kontestuar asnjëherë. Edhe sjelljet vlerësohet se i ka të një sportisti të denjë, por lëvizje të tij kanë ngjallur reagime nga palë të ndryshme.
Është e qartë se Trepça me Hajrizin në përbërje do të ketë gjasa dukshëm më të mëdha që të largohet nga pozita e fundit. Por së pari duhet të arrihet pajtueshmëri me tifozërinë, që ka kundërshtuar fuqishëm kthimin e tij.
Vet Hajrizi, palestrën “Minatori” e ka përshkruar si fole të tij.
“Trepça është fryma ime. ‘Torcida’ është zemra ime. Krejt këto janë vetja ime. Unë po i kthehem vetes sime. Si lojtar profesionist, largimi ishte i pashmangshëm. Si Drilon, e ndiej të nevojshme të kërkoj falje për mungesën”, ka shkruar Hajrizi, që ka falënderuar edhe Pejën, “shtëpinë e dytë të tij”.
“Torcida” është shprehur kundër kthimit të Hajrizit. Ka thënë se do të kundërshtoj fuqishëm kthimin e tij dhe se nuk do të marr përgjegjësi për gjërat që ndodhin. “Torcida” ka humbur respektin për kryesinë e Trepçës, ndërsa kërkim-faljen e Hajrizit nuk e ka njohur si të tillë.
“T’i nuk na ke munguar asnjëherë. Ke qenë gjithmonë i padëshiruar në qytetin tonë dhe vazhdon të jesh i tilllë”, ka shkruar Torcida.