Kasolli e quan spektakël çmimin që UP ia ndau Osmanit e Kurtit: Përpjekje për maskim të keqqeverisjes

Prishtinë | 08 Tet 2025 | 08:01 | Nga Drita Dërmaku

Analisti politik, Afrim Kasolli, e ka quajtur të paprecedent ndarjen e çmimit “Alumni Nderi i UP-së” për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Kasolli, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ky vendim i Universitetit të Prishtinës është një mesazh i nënshtrimit ndaj pushtetit.

“Kjo është një ngjarje e paprecedent, ku universiteti i nderon pushtetarët. Nuk them që nuk duhet të nderohen ish-pushtetarët dhe ata që nuk kanë pozita aktuale politike, mirëpo është një ngjarje jodinjitoze për vetë institucionin akademik të Universitetit të Prishtinës, sepse transmeton një mesazh që ky institucion më tepër po i nënshtrohet pushtetit, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta – ai duhet të jetë vatra kryesore kritike ndaj abuzimeve eventuale që i krijon pushteti gjatë qeverisjes së tij. Aq më tepër, koha kur po ndodh ky dekorim është e papërshtatshme për rrethanat tona dhe motivacionin, sepse po bëhet një nderim i tillë me arsyetimin se këto personalitete politike kanë kontribuar në ndërtimin dhe përfaqësimin e shtetit të Kosovës”, tha ai.

Madje, sipas Kasollit, e gjithë ngjarja – apo siç e quajti ai, spektakli për çmimin – është përpjekje për maskimin e keqpërfaqësimit.

“E vërteta është që përfaqësimi i shtetit të Kosovës, qoftë brenda për shkak të bllokimit të jetës demokratike e institucionale dhe të punës së Kuvendit, është në pikën më të ulët të mundshme. Ne jemi përballë një situate ku demokracia është në rrezik nga këto sjellje të pushtetit. Në anën tjetër, përfaqësimi i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ndodhet në pozicionin më të mirë të mundshëm – për të mos thënë, ndodhet në pikën më të ulët të tij. Prandaj, këtë spektakël dhe këtë organizim e shoh si përpjekje për ta maskuar këtë realitet të mjerë të keqpërfaqësimit të shtetit të Kosovës në këto dimensione, gjë që e bën këtë sjellje të Universitetit të Prishtinës jo të duhur, jo të mirë dhe përfaqëson një mesazh për mungesë dinjiteti që ai duhet ta ketë para opinionit publik”, deklaroi Kasolli për Ekonomia Online.

Kasolli insiston se UP nuk e bëri veprimin e duhur me ndarjen e këtyre çmimeve.

“Dashëm apo nuk dashëm, transmetohen mesazhe të tilla, sepse në fund, në opinion mund të krijohet përshtypja se, nëse Universiteti i Prishtinës e nderon Albin Kurtin, atëherë ai qenka në rrugë të drejtë dhe jo në rrugë të gabuar. Ndërsa duhet të jetë krejt e kundërta – pikërisht universiteti duhet të sjellë kritika për të parë nëse pushteti aktual është në rrugë të drejtë apo të gabuar. Prapë po e theksoj se pozicioni aktual i shtetit të Kosovës nuk është në gjendjen e tij më të mirë; përfaqësimi i tij, si brenda ashtu edhe jashtë, është jashtëzakonisht i ulët. Jemi në një situatë ku universiteti, në një mënyrë, po e maskon këtë realitet nëpërmjet këtij spektakli, dhe atëherë është e pashmangshme që këto veprime të mund të shpërdoren si kredi elektorale, veçanërisht nga Albin Kurti, përballë zgjedhjeve lokale që mbahen këtë të diel, në favor të partisë së tij”, përfundoi Kasolli.

Të ngjashme