Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, ka thënë se është shtrembërim i pastër propagandisitik, ajo që po thuhet se Edi Rama i parapriu sanksioneve të Perëndimit ndaj Kosovës, me anulimin e takimit në Gjakovë ndërmjet dy qeverive.
Kasolli ka shkruar në Facebook se sanksionet i ka vendosur Amerika me përjashtimin e FSK-së nga “Defender 2023”. Derisa edhe Bashkimi Evropian tashmë ka suspenduar disa takime me palën kosovare.
Ai ka vërejtur se ka një garë militanteske për ofendime ndaj Edi Ramës për të mbuluar maskaradën dhe për të kërkuar fajtor kujdestar diku tjetër për këto zhvillime.
“E para Edi Rama nuk e ka anuluar takimin. Ai vetëm ka kërkuar që në këtë situatë nuk kemi nevojë për shfaqjeje të tilla kapërdisëse e mburrje të zbrazët, në një kohë kur Kosova po përballet me sanksione perëndimore. Takimin e ka anuluar Albin Kurti, sepse sot më shumë se kurrë kishte nevojë për t’i shfaqur trillet e tij para botës. Dhe ajo çka bëri Edi Rama vetëm nuk ia mundësoi Albinit të manipulojë me këtë simbolikë”.
“Kurse sanksionet e para ndaj Kosovës i ka vendosur Amerika me përjashtimin e FSK-së nga “Defender 2023″. Po ashtu nëse lexohet më vëmendje artikulli i REL, BE-ja, jo që do t’i vendos sanksione ndaj Kosovës, por tashmë ka filluar me aplikimin e tyre, sepse shkrimi në fjalë thotë: ‘Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar’”, ka shkruar Kasolli.
“Prandaj, gara se sotme militanteske e artilerisë së ofendimeve ndaj Edi Ramës, është thjesht nxitur nga një maskaradë për t’i mbuluar këto fakte duke kërkuar fajtor kujdestar dikund tjetër për këto zhvillime”, ka theksuar ish-deputeti.