Legjenda e skakierës Garry Kasparov përmes faqes së tij zyrtare në “Twitter” ka deklaruar sot se do të rikthehet të luajë shah, duke marrë pjesë në turneun “Rapid & Blitz”, që zhvillohet në Saint Luis të Amerikës, muajin e ardhshëm, transmeton Koha.net.
Kasparov, 54 vjeç, nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare shahu prej 12 vitesh, kur vendosi të tërhiqej nga sporti.
Rusi është shprehur i emocionuar nga ideja që do të rikthehet sërish aktiv dhe se do të luajë një ndeshje zyrtare, pas 12 vitesh, kur është marrë më së shumti me politikë, si opozitar i regjimit të Vladimir Putin.
Kasparov do të marrë pjesë në këtë turne falë një ftese të organizatorëve, që kanë frikë nga rënia e shikueshmërisë dhe interes për shkak së mungojnë personazhet “vip” të këtij sporti. Por prania e Kasparov do të thotë pjesëmarrje e sigurt e fansave, pasi ai është një ikonë e sportit të shahut, një nga mjeshtrit e padiskutueshëm të skakierës. “Shpresoj të mos kem harruar se si lëvizen gurët, përndryshe do të tërhiqem sërish“, tha duke qeshur Kasparov.