Kastrati inspekton shkollat në Malësi: Situata që pamë ishte alarmuese

Prishtinë | 06 Tet 2018 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, është shprehur i shqetësuar nga funksioni i shkollave në fshatrat e Malësisë, që sipas tij, ai ka marrë shqetësime të vazhdueshme edhe të prindërve dhe banorëve për keqfunksionimin e mos vijimin e rregullt të mësimit. Për këtë arsye, ai ka njoftuar në llogarinë e tij në Facebook se ka dalë vet në kontroll të pa paralajmëruar në disa prej atyre shkollave, javën e kaluar.

“Situata që pamë nuk ishte vetëm shqetësuese por ishte alarmuese”, ka shkruar Kastrati.

“Njëra nga shkollat ishte e mbyllur me dry, ndonëse mësimi do të duhej të fillonte në atë kohë. Rrugës nga shkolla në shkollë takuam një fëmijë që mëson në njërën nga këto shkolla. Ai na tha që në shkollën ku mëson, stufa ndizet vetëm në sallën e arsimtarëve dhe zyren e drejtorit kurse në klasë jo. Në fillim e morra me dyshim, por qysh në shkollën e ardhshme që vizituam e gjetëm stufën e pa ndezur në klasët ku mbahej mësim, përkundër sallës së arsimtarëve dhe të drejtorisë që ishin të ndezura. Unë nuk dua që gjatë mandatit tim të largohen njerëz nga puna, por për ata punëtorë që bëjnë shkelje të tilla nuk mund t’i mbylli sytë”, ka vazhduar tutje ai.

Ai ka shkruar se një nga arsyet pse fëmijët janë në gjendje të keqe në këto shkolla, janë për shkak të infrastrukturës tepër të dobët.

“Në përgjithësi shkollat e kësaj ane kanë infrastrukturë tepër të dëmtuar. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, edhe në ato shkolla ku mësimi vijon me rregull, nuk mund të flasim për cilësi në mësimnxënie. Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, fëmijët janë të pasocializuar në mungesë të shokëve e shoqeve, arsimtarët janë të pamotivuar për punë, e prindërit të alarmuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, shkruan kryetari i komunës në Facebook.

Ndërkaq, ka siguruar se kjo gjendje nuk do të vazhdojë shumë.

“Ndonëse nuk kam vendosur se cilat do të jetë veprimet konkrete, për një gjë jam i sigurtë:

KJO GJENDJE NUK DO TË VAZHDOJË GJATË!”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme