Deputeti, Ardian Kastrati, i cili më herët ishte analist, ka reaguar publikisht me deklaratën e Vjosa Osmanit në BBC, intervistë kjo e cila bëri bujë të madhe në të gjithë vendin.
Sipas tij, Vjosa Osmani pas deklaratës së saj në BBC, nuk mund që të kërkoj liberalizim të vizave për Kosovën.
“Kur Bashkimi Evropian i kërkonte Kosovës ta plotësonte vetëm edhe një kusht (demarkacionin) për liberalizimin e vizave, Vjosa Osmani dilte kundër. Fakti që BE-ja e kërkonte vetëm edhe atë kusht, nënkupton që vendi nuk ishte aq i kriminalizuar ashtu siç tha Vjosa në BBC. Nesër e njëjta do t’ju kërkoj zyrtarëve të BE-së liberalizimin e vizave dhe ata do t’ia kujtojnë asaj deklaratën në BBC. Sot, qytetari i Kosovës nuk gëzon liberalizim e vizave, sepse kështu deshi Vjosa, e cila dilte “luftonte si luaneshë në Çakorr kundër trupave të Njegoshit” dhe me zërin e saj kumbues i trembte ato trupa deri poshtë Podgoricës. Kështu, kjo patriote-luaneshë e cila “me dhëmbë priste plumbat e Njegoshëve dhe tradhtareve shqiptarë”, e shpëtoi kufirin me Malin e Zi dhe i betonoi kufijtë me 28 shtete të Bashkimit Evropian. Numri i votave nuk përcakton dot legjitimitetin demokratik të politikanëve. Përveç votave, legjitimiteti demokratik matet edhe me produktivitet dhe efikasitet politik.
Trutharët me mungesë të theksuar të kalorive intelektuale nuk e kuptojnë këtë. Ata objektiv e kanë që përmes deklaratave të tilla të ushqejnë vullgaritetin për ta përkthyer atë në votë, pa llogaritur kështu në dëmin që i shkaktojnë qytetarit të vendit. Përveç tjerash, sot jemi pa liberalizim vizash për shkak të konceptit të politikanëve si kjo. Qytetarët gradualisht do të ndjehen të tallur nga “luanesha”. ” Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija” vetëm kjo thënie e Gjergj Fishtës e përshkruan saktë një politikane si kjo. Fatkeqësisht, sot është koha e maskarenjve në politikë. Koha është e tyre, por ne do t’ua kujtojmë atyre shumë shpesh që atdheu është i shqiptarëve.”, tha Ardian Kastrati, deputet në rradhët e PDK’së.