Kastrati: Mbi 200 mijë banorë të regjistruar, serbët po regjistrohen vullnetarisht

Prishtinë | 15 Pri 2024 | 10:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se mbi 200 mijë rezident janë të regjistruar në Kosovë, dhe mbi 50 mijë banorë jorezident që jetojnë jashtë shtetit, raporton Ekonomia Online.

Kështu u tha në konferencën për media nga Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati. Ai tha se deri më tani janë intervistuar rreth 47 mijë e 122 ekonomi familjare, vetëm në Komunën e Prishtinës janë zhvilluar mbi 10 mijë intervista.

Ai tha se në komunat veriore ka interesim për regjistrim dhe se një pjesë e komunitetit serb tashmë janë regjistruar.

Shefi i ASK-së, ka pohuar se përkundër presionit që u është bërë serbëve të mos marrin pjesë në votim, ata po regjistrohen vullnetarisht.

“Për mospjesëmarrje në regjistrim, ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serbë, nga Lista Serbe, ne kemi bërë vet përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje, këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë edhe nga komunat veriore, kemi persona të regjistruar vullnetarisht përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit sepse jemi duke bashkëpunuar edhe me komunat edhe me institucionet tjera, presim. Një pjesë e komunitetit nga komunat veriore tashmë është duke u regjistruar”, tha Kastrati.

Gjithashtu, ai tregoi se disa regjistruesve ua kanë ndërprere kontratat.

“Kemi qenë të detyruar të ndërprejmë disa kontrata të regjistruesve të cilët kanë tejkaluar kompetencat që kanë marrë nga trajnimet. Ne ua kemi bërë të qartë kornizat, dhe secili që del jashtë kornizave do të paralizohet”, theksoi ai.

Regjistrimi i popullsisë do të zgjatë deri më 17 maj, ndërsa qytetarët që refuzojnë të regjistrohen do të gjobiten.

Të ngjashme