Kastrati: Më 9 shkurt duhet ta ajrosim skenën politike, nga 10 shkurti do të iu kthehet dinjiteti punëtorëve të arsimit

Prishtinë | 04 Dhj 2024 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, duke u ndalur te trajtimi që u është bërë punëtorëve të arsimit dhe përfaqësuesve të SBASHK-ut.

Në një postim në Facebook, Kastrati e cilësoi situatën aktuale si të papranueshme dhe bëri thirrje për ndryshim në skenën politike.

“Në e kohën e Kurtit dhe Nagavcit për shkak të rritjes enorme të çmimeve dhe për shkak që pagat nuk u rritën, mësuesit janë detyruar që përveç punës në shkollë të shesin fruta-perime pasdite ose të punojnë taxi natën për të siguruar mbijetesën.

Në raport me punëtorët e arsimit kjo qeveri është e para pas luftës që manifestoj sjellje të paparë agresive duke ju ndal pagat punëtorëve të arsimit kur ata u futën në grevë me kërkesa për rritje të pagave.

Atje ku ne aspirojmë të integrohemi historia bashkëkohore nuk njeh një rast të tillë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Kastrati theksoi se qeveria ka treguar mungesë përkushtimi për investime kapitale, duke përmendur një shpërputhje prej 500 milionë eurosh mes planifikimeve dhe realizimeve, dhe duke e akuzuar qeverinë për korrupsion.

“500 milion është shpërputhja mes planifikimit dhe realizimit e kësaj qeverie. Janë dmth 2 miliard euro të pashfrytëzuara në investime kapitale. Miliona të humbura nga aferat korruptive e kontrata njëburimore. Paga deri 7500 euro për Gani Jakupat, etj. Ndërsa, nënçmim e fyerje për punëtorët e arsimit me rritje minimale pagash për ta.

Me 9 Shkurt duhet ta ajrosim skenën politike në mënyrë që nga 10 Shkurti e tutje të ju kthejmë dinjitetin punëtorëve të arsimit!”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Të ngjashme