Ish-komandanti i FSK-së Kadri Kastrati gjatë një interviste për “Zërin” ka deklaruar se pavarësisht kundërshtimeve aktuale NATO-ja në të ardhmen do ta mbështesë ushtrinë e Kosovës. Ai thotë se Kosova pas një jave do ta ketë ushtrinë pas votimit, i cili do të ndodhë në Kuvend, shkruan sot Gazeta Zëri.
Procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim mbrapa, pasi është projektuar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë dhe pavarësisht kundërshtimeve aktuale të NATO-s, kjo përsëri do të mbetet mbështetëse e ushtrisë.
Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n do të forcohen edhe më tej pas 14 dhjetorit 2018, kur do të votohet në Kuvend për transformimin e FSK-së në ushtri.
“Kosova çdo lëvizje të kapaciteteve e ka bërë në koordinim me shtetet partnere, me SHBA-në, me Gjermaninë, me Italinë e me Francën dhe me shumë shtete të tjera që i kanë standardet më të larta të NATO-s. Për këtë arsye mendoj që NATO-ja do të mbetet mbështetëse e kësaj force”, ka theksuar mes tjerash Kastrati në intervistën për “Zërin”.
Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga mbi 100 shtete dhe ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, e cila nuk do të formohet vetëm për interesa të veta, por edhe të NATO-s, edhe rajonit sepse do të jetë një forcë mbrojtëse.