Pavarësisht paralajmërimit për greva e protesta nga mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve në shkollat në Kamenicë, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, ka konfirmuar se reforma e planifikuar nga ai do të nisë së implementuari më 2 shtator.
Ideja e këtij riorganizimi është zvogëlimi i numrit të shkollave në Kamenicë dhe bartja e nxënësve nga ana e komunës në shkolla të caktuara.
“Fillimi i vitit të ri shkollor 2019/2020 në Kamenicë do të përcillet me procesin e riorganizimit të shkollave. Pas hulumtimit të gjendjes në terren për më shumë se një vit; konsultimit me dhjetra profesionistë të fushës në Kosovë, Shqipëri, e më gjerë; dhe sidomos për shkak të fëmijëve të cilët janë fokusi ynë kryesor, ne jemi të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Riorganizimi vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. 19 nxënës e kanë vetëm një shok klase dhe 25 të tjerë nuk e kanë ASNJË shok klase. Unë si Kryetar Komune nuk mund të mos veproj për ta ndryshuar këtë situatë. E kam obligim moral, por edhe ligjor të mendoj për të mirën e brezave të ardhshëm, pavarësisht pasojave në popullaritetin tim, apo të tjera”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Kastrati ka thënë se partitë politike e kanë keqpërdorur këtë çështje, “ndonëse në takime private e mbështesnin dhe lavdëronin reformën”.
“Si politikan, e kuptoj tendencën për votëzim të çdo shanse, mirëpo filozofia e mirëfilltë e politikëbërjes kërkon që raste të caktuara të cilat e ndikojnë drejtpërdrejt qytetarin të mos kalkulohen politikisht. Keqpërdorimi i nevojave dhe situatës së mësimdhënësve të cilët që nga paslufta janë trajtuar vetëm si klientelë është tejet brengosës”, ka shtuar ai.
Kastrati i është përgjigjur edhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që kishte paralajmëruar edhe grevë të përgjithshme nëse riorganizimi i tillë ndodh në Kamenicë. Ai ka thënë se kjo organizatë s’sheh përtej grevave.
“Me gjithë insistimin tonë për dialog, duke prezantuar para tyre një platformë të rëndësishme për të ardhmen e mësimdhënësve si kolektiv, SBASHK ishte totalisht irracional. Kjo organizatë nuk mund të shohë përtej grevës si qëllim, mjet, ide, arsye, e pasojë. E ne mendojmë që arsimi në përgjithësi, por edhe nevojat e mësimdhënësve në veçanti janë të shumta, mjetet e dialogut poashtu janë të ndryshme, dhe racionaliteti është mënyra e vetme për të arritë qëllimin e përbashkët për kualitet më të lartë në arsim”, ka shtuar më tej Kastrati.
Kastrati ka thënë se vendimi i tillë është sipas kërkesës së shumicës dërmuese të qytetarëve me të cilët janë takuar për t’ua prezantuar idenë.
Ai ka treguar se riorganizimi do të realizohet gjatë këtij mandati qeverisës.
“Implementimi do të ndodhë i ndarë në faza. Këtë shtator do të fillojmë me shkollat “Fan S. Noli”, “Dëshmorët e Kombit”, “Hasan Prishtina”, “7 shtatori”, “Idriz Seferi” dhe “Nuhi Berisha”. Këto shkolla janë mostër reprezentative duke përfshirë një fshat me numër të madh të nxënësve si Busavata, fshatra me numër të mesëm të nxënësve, si Krileva dhe Strezoci, si dhe Tugjeci si fshat me numër më të vogël të nxënësve. Transporti i nxënësve do të fillojë menjëherë dhe për detajet e tjera do të informojmë grupet e përfshira në vazhdimësi. Reforma do të realizohet e plotë, jo sepse e kam inicuar apo është interes imi personal, përkundrazi. Reformën e kërkon situata, dhe është e domosdoshme për nxënësin e Kamenicës. Kjo ka qenë pika e përbashkët me qytetarët dhe unë e respektoj këtë”, ka deklaruar në fund ai.