Katari “theu” pritshmëritë duke organizuar një Kupë Bote, edhe pse bëhej fjalë për një vend të vogël e që në hedhjen e kandidaturës së saj nuk kishte asnjë impiant të ndërtuar.
Megjithatë, Kupa e Botës duket se nuk i mjafton Katarit, që tani ka një tjetër objektiv madhor, organizimin e Lojërave Olimpike. Sipas asaj që raportojnë mediat, vendi aziatik do të garojë për të organizuar olimpiadën e vitit 2036, pasi për tre edicionet e ardhshme është përcaktuar vendi oranizator i Lojrave Olimpike.
Në 2024, Olimpiada do të zhvillohet në Paris të Francës, katër vite më vonë në Los Angeles dhe në 2032 në Australi. Komiteti Olimpik i Katarit ka dorëzuar kërkesën për nisjen e procedurave, teksa përveç Katarit edhe Indonezia dhe India kanë interes për të organizuar Lojërat Olimpike.
Edhe pse Katari organizoi Kupën e Botës, sërish mbetet problem organizimi i Olimpiadës, sidmos për shkak të temperaturave, pasi nuk duket e realizueshme mundësia e zhvendosjes së Lojërave Olimpike në periudhën e vjeshtës si në rastin e Botërorit.
Katari është refuzuar në tre kandidaturat e mëparshme, por për shkak të organizmit të Kupës së Botës mund të bindin Komitetin Olimpik ndërkombëtare që t’i besojnë dhe organzimin e Olimpiadës, pasi kaloi me sukses Botërorin.