Katarina Josipi, edhe një gjysmëshekull pas vdekjes, vazhdon të jetë frymëzim për aktorët. Emri i saj është i pashmangshëm për historinë e teatrit në Kosovë. Në akademinë për nder të 50-vjetorit të vdekjes së saj, e mbajtur të hënën në mesditë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo është cilësuar si një nga personazhet kryesore të historisë së teatrit shqiptar. Ikonë, është vetëm njëri prej cilësimeve që i është bërë në akademi, e për këtë dëshmi sjell edhe monografia “Kati – ikonë e teatrit shqiptar” e Frrok Kristajt, e përuruar në këtë ngjarje.
Ka qenë kori i grave “Nexhmije Pagarusha” ai që e ka bërë hapjen për t’i lënë vend edhe shpalosjes së kujtimeve të atyre që e kanë njohur e që kanë punuar me të. Kori ka sjellë dy këngë të Bilbilit të Kosovës dhe ka pasur një arsye shtesë për këtë. Kristaj ka rrëfyer se në fillim të viteve të 50-ta Pagarusha, e cila kishte ardhur në Prishtinë për t’u bërë aktore, kishte luajtur në skenën e teatrit bashkë me Katarina Josipin.
Por pikërisht disa prej atyre e kanë ndarë skenën me të, kanë shpalosur kujtimet për Katin.
Aktorja Safete Rogova ka thënë se të rrallë janë emrat e teatrit që gjatë jetës së tyre, po edhe pasi të kenë kaluar në amshim, të kenë lënë mbresa dhe kujtime aq të fuqishme
Ajo ka cituar edhe fjalët e drejtorit të dikurshëm të teatrit, shkrimtarit dhe publicistit, Ramiz Kelmendi, i cili kishte thënë se “një fenomen si asnjë tjetër këso dore njohu arti jonë skenik, fenomeni Katarina Josipi”. Për Kelmendin, Josipi ishte tamam provë e gjallë se aktorja e vërtetë bëhet e natyrshme vetëm në skenë.
Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi – Kati, u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, Komuna e Prizrenit, më 9 nëntor të vitit 1923. Shkollimin fillor e nisi në Zym në gjuhën serbe, pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit. Pastaj e vazhdoi në Nish, ku ishte me babanë e vet, që e ushtronte profesionin e bukëpjekësit. Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i saj ishte vendosur së pari në Lipjan e më pastaj në Ferizaj. Si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj, kurse në pranverën e vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Për më pak se dy dekada karrierë, luajti 70 role. Vdiq në Prishtinë, më 29 prill të vitit 1969, në moshën 46-vjeçare.
Aktori Selman Lokaj ka kujtuar se “Josipi ka qenë diamant, ndërsa aktorja Igballe Qena ka thënë se dëshirën për skenë dhe zgjimin e imagjinatës së saj ia atribuon aktores Josipi.