Kur rastiste që në pranverë të shkoja në Kapeshnicë, pjesa më e bukur e rrugës ishte ajo pas “Urës së zallit”, mu aty ku fillonte kjo lagje.
Prej aty deri te shtëpia e dajës ku isha nisur rrugët ishin të kufizuara me mure të larta prej qerpiçëve , të cilat në pranverë gëlqeroseshin me ngjyrë të bardhë, kurse ishin të mbuluara me qeramidhe të punuara me dorë, të cilat i përfundonin këto mure për t`iu lënë vend që mbi to të hapeshin kurorat e harlisura të pemëve me gjethe të gjelbra dhe me behar të bardhë, lulet e të cilave dukeshin si pjesë të mureve që kishin filluar të ngjiteshin në qiell, shkruan Koha Ditore.
Rrugët ishin të ujitura dhe të fshira që me natë. Taktiliteti i këtyre materialeve, drita, zëri i hapësirës, si dhe perceptimi fizik të bënin ta ndieje dhe ta njohësh energjinë e shtëpive, rrugës dhe të lagjes.
Dyzet vjet më vonë aroma ishte krejtësisht tjetër. Ngado dhe kudo vinte erë shkrumbi. Gjithandej shiheshin “tumulat” e baltës së qerpiçëve dhe pirgjet e gurëve të shtëpive të djegura dhe të rrënuara që kishin marrë forma dhe trajta të paimagjinueshme dhe nga të gjitha anët ishe i rrethuar me një transparencë hapësinore e cila mund të përjetohej vetëm mbi rrënojat e shtëpive.