Dukesha e Kembrixhit është duke vazhduar trashëgiminë e familjes së saj për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor, këtë herë fokusi janë shqetësimet post-partum. Kate Middleton ka folur për mëmësinë dhe shëndetin mendor, duke sjellë si shembull përvojën e saj, sfidat me të cilat asaj i është dashur të përballet për t’u përkujdesur për 3-vjeçarin Prince George dhe princeshën 1-vjeçare Charlotte.
“Sa më përket mua ka qenë një përvojë e shkëlqyer. Megjithatë, shumë shpesh kthehet në një sfidë të vërtetë edhe për mua që mund të kem ndihmën e shumë të tjerëve, fat që pak nëna e kanë. Sado leksione të marrim, nuk vlejnë për gjë, sepse asgjë nuk mund të të përgatisë siç duhet për këtë përvojë”, ka shpjeguar Kate në dokumentarin “Out of the blue”, i cili fokusohet te shqetësimet e nënave pasi sjellin në jetë një fëmijë.
“Emocionet që ndjen gjatë kësaj periudhe janë vërtet të shumta e të ndryshme; ndihesh e gëzuar, e lodhur, e shqetësuar, por gjithmonë ke dashuri për të dhënë. Të ndryshon identiteti, nga mendimet që kishe vetëm për veten, tashmë në plan të parë janë fëmijët. Këshillat për t’i kapërcyer kohët e para janë të kota, duhet vetëm të fokusohesh te familja e të bësh më të mirën e mundshme”.
“Kjo nuk është e thjeshtë në çdo rast, por duhet të keni në mend që shpejt do të kalojë. Kërkoni ndihmë nëse ju nevojitet, mos e konsideroni dobësi, sepse jeni mjaft të ngarkuara dhe keni shumë përgjegjësi të reja. Të gjithë do të luftojmë që të jemi mbështetës në këtë fazë të vështirë të jetës”, përfundon Dukesha.