Kategorizimi që iu është bërë punëtorëve për caktimin e pagës minimale në Kosovë është një nga problemet të cilat Lëvizja “Fol” i ka hasur gjatë hulumtimit të prezantuar sot lidhur me pagën minimale dhe efektin e saj në punësim, raporton Ekonomia Online.
Në vitin 2011, Kosova ka vendosur pagën minimale. Për të punësuarit deri në moshën 35-vjeçare paga minimale është vendosur jetë 130 euro, ndërsa nga 30 deri në 65 vjeç – është vendosur 170 euro.
Jeton Zulfaj, nga Lëvizja FOL, tha se paga minimale është një ndër çështjet më senzitive në vendimmarrje. Sipas tij, nuk është politikë e shtetit për të ndërhyrë në tregun e punës, por është edhe çështje morale për të siguruar që nuk ka eksploatim të punëtorëve.
“Vendimi i marr në vitin 2011 për pagë minimale ka qenë vendim ad-hoc. Nuk ka pasur diskutim publik që do të përfshinin akademinë, sindikatat dhe bizneset. Formulat për përcaktim të pagës minimale nuk janë shpjeguar dhe arsyetuar, kurse paga minimale e ndarë në bazë të moshës nuk ka ndonjë bazë ligjore dhe logjike dhe si e tillë është diskriminuese. Në nivel akademik nuk mbështetet rritja e pagës minimale mbi nivelin e ekuilibrit pasi do të ketë ndikim negativ në punësim”, tha Zulfaj.
Besnik Bislimi, profesor i lëndës “Ekonomiksi i Tregut të Punës”, tha se sa i përket kategorizimit të pagës sindikatat nuk nuk duhet të jenë pjesë e debateve për këtë çështje ngase kjo është konflikt interesi.
“Shembull është Amerika ku vetëm 4% janë të afektuar nga paga minimale, dhe zakonisht janë studentë, e që jo doemos janë pjesë e shtresave të varfra. Më mirë kishte me qenë subvencioni i pagave, se sa pagat minimale si instrumente të politikave. Sindikatat nuk duhet të jenë pjesë të diskutimeve për pagë minimale, pasi që kanë konflikt interesi”, tha Bislimi.
Por Haxhi Arifi, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) tha se ata angazhohen jo vetëm për pagën minimale, por për të gjitha problemet që paraqiten nga punëmarrësi dhe punëdhënësi.
“Nuk pajtohem me atë që e tha profesori. Paga minimale i duhet punëtorit kosovare. Ne e kemi marrë këtë vendim me konsensus ne e kemi propozuar këtë qeverisë mirëpo ata nuk e kanë miratuar atë që e kemi propozua. Kategorizimi është krim, i është bërë e padrejtë punëtorëve. Unë mendoj se mekanizmi ynë është një prej më të rëndësishmit jo vetëm të pagës minimale, por edhe të nxjerrjes së ligjeve”, tha Arifi.
Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), tha se kanë bërë një anketë më bizneset dhe ata kanë propozuar që paga minimale të jetë 250 deri në 300 euro, mirëpo qeveria e ka vënë në 130 deri 170.
Ajo tha se kategorizimi i pagës minimale është një diskriminim dhe se OEK-u nuk e ka përkrahur kategorizimin e grupeve për pagë minimale.
“Në bazë të hulumtimit që kemi bërë 80 biznese kanë thënë që kategorizimi i pagës minimale duhet të hiqet. Pasi as vendet e rajonit nuk e mbështesin”.
Alejtin Berisha, nga Kolegji “Universum”, tha se nuk ka vend në botë që biznesi kërkon rritje të pagës minimale, për shkak se biznesi nuk duhet të besojë që dikush tjetër t’ia rregullojë pagën.
“Sindikatat kanë konflikt interesi në përcaktim të pagës minimale”, tha Berisha.