Katër gra raportuan dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur katër raste të dhunës në familje.

Rasti i parë ka ndodhur në Drenas, ku një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua tjetër. Rasti me vendim të prokurorit ka shkuar në procedurë të rregullt ndërsa e lënduara është dërguar në shtëpinë integruese.

Tutje, në Fushë-Kosovë një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gruaja është dërguar në QKMF për trajtim mjekësor dhe më pas në QKUK. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar pas intervistimit.

Në kryeqytet një grua ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshjeje me të dashurin, është sulmuar fizikisht nga i njëjti dhe më pas është larguar nga shtëpia. E lënduara ka marrë trajtimin mjekësor.

“Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar dhe është iniciuar rasti”, thuhet tutje.

Ndërsa, në Gjakovë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Viktimës i është ofruar tretmani mjekësorë. I dyshuari është në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme