Ky është njëri nga katër hidrocentralet e ndërtuara nga kompania “Kelkos Energy” në Grykën e Deçanit.
Përmes energjisë që prodhohet nga ky hidrocentral, furnizohet vetëm Manastiri i Deçanit, raporton KTV.
Por, përveç këtij investimi, ndërtimi i këtij hidrocentrali i ka shkaktuar shumë dëme Grykës së Deçanit.
Rrëshqitje gurësh e dheu, mungesë uji, dëmtim i rrjetit elektrik, e degradim i natyrës në masë të madhe, janë vetëm disa nga dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi edhe i tri hidrocentraleve të tjera.
Në këtë formë është shkatërruar Lumbardhi i Deçanit, si pasojë e ndërtimit të katër hidrocentraleve, me ç’rast edhe sasia e ujit në këtë lumë është e vogël.
Njëri nga banorët e kësaj ane, Ismet Shabanaj, kujton kohën kur gryka e Deçanit frekuentohej nga shumë vizitorë.
Ndërtimi i hidrocentraleve, thotë ai, ka shkatërruar bukuritë natyrore që kanë qenë atraksion.
Anëtarë të shoqërisë civile që patën kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve, thonë se ndërtimi i tyre nuk i ka sjellë asnjë dobi komunës dhe banorëve të Deçanit.
Adem Lushaj thotë se hidrocentralet kanë vënë në rrezik edhe florën e faunën e kësaj pjese.
E njëjta kompani që ka kryer punimet në Deçan, është kontraktuar të ndërtojë 11 hidrocentrale në Lumbardh në Grykën e Rugovës.
E Lushaj thotë se, Deçani është shembulli më i mirë se si shkatërrohet natyra dhe Peja nuk duhet ta lejojë këtë.
“Kelkos Energy”, në Grykën e Deçanit që është zonë e mbrojtur, punimet për hidrocentralet i kishte nisur gjatë viteve 2013-2014.
Për dëmet e shkaktuara, Komuna e Deçanit kishte paditur këtë kompani, por zyrtarë komunalë nuk kanë qenë të gatshëm të flasin të hënën për këtë.