Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka njopftuar se për herë të parë në Kosovë, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, janë kryer katër operime (Bypass axilo-bifemoralis) me sukses të plotë.
Ky bypass (urëzim) i qarkullimit të gjakut, ka të bëjë me marrjen e gjakut nga arteria axilaris (arteria e nënsqetullës) dhe dërgimi i tij në drejtim vertikal deri te arteria femoralis, (arteria e këmbës së djathtë), e pastaj urëzimi tjetër në drejtim transversal, nga qarkullimi i gjakut në këmbën e djathtë – në arterien e këmbës së majtë, me ndihmën e një gypi vaskular artificial (protezë vaskulare PTFE të diametrit 8mm dhe gjatësi 80cm).
Rasti i parë, është pacienti I.S, 67 vjeç, i cili e kishte të mbyllur aortën abdominale (arterien kryesore të trupit të njeriut), në nivel të ndarjes së arterieve renale (arteriet e veshkave) nga aorta abdominale. Përvec kësaj, pacienti i dytë, M.M, 74 kishte të mbyllura edhe dy arteriet femorale sipërfaqësore, që ushqejnë këmbët me gjak. Për më tepër kishte edhe stenozë ostiale (ngushtim në hyrje) të dy arterieve femorale profunde.
Pacienti M.R, 80 vjeç, kishte të mbyllur aortën abdominale dhe ngushtime të shprehura në arteriet e veshkave. Kishte një zgjerim të aortës së kraharorit, mbyllje të dy arterieve femorale sipërfaqësore, që ushqejnë këmbët me gjak.
Ndërkaq, pacienti i katërt, Pacienti S.R, 81 vjeç, e kishte të mbyllur aortën abdominale nën veshka, kishte ngushtime në arteriet e veshkave. Më tepër ajo kishte edhe një zgjerim mesatar të aortës së kraharorit, mbyllje të arteries femorale sipërfaqësore të majtë. Kishte ngushtim të shprehur në hyrjen e të dy arterieve femorale profunde dhe një aterosklerozë të gjeneralizuar të të gjitha arterieve.
Te të gjithë pacientët pas operacioneve, janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacientët mesatarisht pas pesë ditë hospitalizimi, janë lëshuar në shtëpi, në gjendje të përgjithshme dhe lokale të mirë.