I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčak, edhe atëherë kur detyra zyrtare ia kërkonte të ishte neutral ndaj statusit të Kosovës, ai kishte vendosur të dalë hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Vitin e kaluar, Lajčak si përfaqësues i Sllovakisë udhëhoqi kryesimin e OSBE-së. Këto janë katër raste kur Lajčak e tejkaloi rolin e tij, duke dalë hapur kundër Kosovës:
1. Me iniciativë të SHBA-së, shtetet që e kanë kryesimin e OSBE-së kanë krijuar një praktikë përmes së cilës kanë ftuar në një takim joformal përfaqësues nga Kosova. Derisa Gjermania, Austria dhe Italia e kanë vazhduar këtë traditë, Lajčak njëanshëm kishte refuzuar që ta ftojë Kosovën në një takim të tillë. Për këtë veprim, Lajčak ishte kritikuar nga SHBA-ja.
2. Vitin e kaluar, në të njëjtin kapacitet, Miroslav Lajčak erdhi në Kosovë. Ai kishte insistuar që takimet me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës t’i mbajë nëpër hotele ose zyre të OSBE-së, duke refuzuar që ato të mbaheshin në zyrat e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës. Kështu, Miroslav Lajčak theu sërish një praktikë, ku ministrat e jashtëm që kryesonin OSBE-në kishin takuar përfaqësuesit shtetërorë në institucionet e Kosovës, si Kurz, Steinmaier etj.
3. Në të njëjtin rol, vitin e kaluar, Miroslav Lajčak zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Edhe pse ishte kryesues i OSBE-së, Miroslav Lajčak keqpërdori takimin, duke i premtuar Vuçiqit se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
4. Miroslav Lajčak, po ashtu, ka kundërshtuar Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn, që ai të përfaqësojë kryesimin e Shqipërisë në OSBE, duke qenë se është nga Kosova. Ai kishte lobuar te shtetet anëtare për ta kundërshtuar emrin e Cakajt. Më pas, Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama.