Katër serbë të dyshuar për hapjen e tunelit në Gjykatën e Lartë në Mal të Zi

Prishtinë | 22 Sht 2023 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Autorët që hapën tunelin deri në depon e Gjykatës së Lartë në Mal të Zi janë identifikuar dhe të dyshuarit kryesorë janë nga Serbia. Ministri i Brendshëm, Filip Anxhiq, në një konferencë për media të premten, ka bërë të ditur se grupi ka pasur edhe bashkëpunëtorët nga Mali i Zi.

Velko Markoviq (32 vjeç), Milan Markoviq (53), Dejan Jovanoviq (30) dhe Vladimir Eriq (32) nga Serbia dyshohet se kanë marrë pjesë në krim. Fotot e tyre u shfaqën në konferencën për media ku pjesëmarrës ishin edhe autoritetet e sigurisë malazeze.

Ndaj katër të identifikuarve është ngritur kallëzim penale, por Anxhiq ka thënë se janë së paku edhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë.

“Ekziston një lidhje e caktuar në mes të kësaj organizate kriminale dhe një personi nga Gjykata e Lartë dhe anëtarëve të një organizate kriminale që qëndrojnë në burgun në Spuzh”, ka thënë Axhiq.

Ministri i Brendshëm ka thënë se tani janë një hap më afër motivit që çoi në gërmimin e tunelit.

Shumica e të identifikuarve kanë një të kaluar kriminale, shtoi Axhiq.

Të dyshuarit u larguan nga Mali i Zi më 11 shtator, ditën kur u zbulua se depoja e Gjykatës ishte plaçkitur. Sipas autoriteteve malazeze, gërmimi është bërë në grupe të vogla.

Hapja e tunelit 30 metra të gjatë në depon e Gjykatës së Lartë tronditi Malin e Zi. Sipas institucioneve malazeze, nga depoja janë plaçkitur vetëm disa armë, që kanë shërbyer si prova për raste të ndryshme.

Të ngjashme