Dita e fundit e vitit 2017 i gjeti sheshet e Prishtinës me plot njerëz.
Qytetarë thonë se janë bërë gati për pritjen e Vitit të Ri dhe kanë kryer përgatitjet e nevojshme, raporton KTV.
Shtëpizat e vendosura në sheshin Zahir Pajaziti, janë bërë vendi më i preferuar i qytetarëve.
Ndërkaq, ishin të shumtë njerëzit që fotografoheshin te bredhi i Vitit të Ri.
Komuna e Prishtinës, do të organizojë ngjarjen e përvitshëm Prite në Shesh.
Zbukurimi i shesheve, komunës së Prishtinës i ka kushtuar 50 mijë euro. Por, për qytetarët kjo shumë duket shpenzim i panevojshëm.
Sipas tyre, më mirë do të ishte që kjo shumë të ndahej për familjet që kanë nevojë dhe jetojnë në kushte të vështira.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë planin operativ për fundvit, në mënyrë që festa e Vitit të Ri të kalojë pa incidente.
Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe t’i informojnë institucionet e sigurisë për çfarëdo parregullsie apo informacioni të dyshuar.