Katër sirianë të armatosur të cilët kanë tentuar që të hyjnë nga Shqipëria në Kosovës, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës.
Sipas PK-së, tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa i katërti ndodhet në arrati, njofton Klan Kosova.
“Policia e Kosovës ka pranuar sot një informatë nga Policia e Shtetit në Shqipëri se disa persona kanë tentuar të futen në Kosovë në vijën kufitare në mënyrë ilegale”.
Drejtori i policisë kufitare, Nexhmi Krasniqi, deklaroi për Klan Kosova se me të marrë informatën, Policia e Kosovës ka nisur aksionin ku ka hasur në katër sirianë të cilët kanë qenë të armatosur.
“Njëri prej tyre edhe ka shkrepur armën në drejtim të Policisë. Autoritetet policore të vijës së gjelbër në Vërmicë i janë përgjigjur rastit dhe kanë arritur që të arrestojnë tre prej të dyshuarve, derisa një tjetër është ende në arrati”.
Krasniqi tha se i arratisuri është i njohur prej autoriteteve. Në këtë aksion kanë asistuar edhe njësitë e Policisë Kufitare-Perëndimi si dhe njësia regjionale në Prizren.