Katër vjet humbje në dialog

Prishtinë | 01 Jan 2025 | 11:00 | Nga Gzim Mujaj

Njohësit e çështjeve integruese kanë vlerësuar se për katër vjet të qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka humbur në procesin e dialogut, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, Kosova në këtë proces ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, kështu duke e ndërlidhur përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian me përparimin e saj në dialog. 

Ata kanë potencuar se cila do parti që do ta merr udhëheqjen e shtetit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duhet ta ketë parasysh rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes. 

Profesori universitar Dritëro Arifi, në një intervistë për EO ka thënë se koha e humbur në zbatimin e zotimeve që ka bërë qeveria mund të ketë pasoja të mëdha në proceset e integrimit, e sidomos në një periudhë kur rrethanat gjeopolitike po ndryshojnë.

“Dialogu ka pasur baticat dhe zbaticat e tij, ajo kryesorja është që qeveria e Kosovës në një farë formë e ka pranuar planin e BE-së. Pra, marrëveshjen e Brukselit dhe aneksi i Ohrit nga qeveria e Kosovës janë pranuar, janë zotuar, kjo gjithçka është protokolluar brenda BE-së dhe mendoj që në këtë pikë, cilado qeveri që do të vijë në të ardhmen e afërt pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, do të jetë e detyruar dhe obliguar për t’i zbatuar ato marrëveshje ndërkombëtare. Mendoj, që kjo qeveri atë që ka bërë është vetëm që ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe tash pritet të shihen hapa të tjerë. Duhet llogaritur që humbja e kohës nuk ka kosto, ajo nuk ka çmim që e vlerëson se sa kohë kemi humbur që mos të humbim hapat e integrimit dhe sidomos të integrimit në strukturën euroatlantike. Sepse po ndryshojnë rrethanat gjeopolitike në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nëse ne nuk jemi në ato, po themi në ujërat nga shkon politika e jashtme e vendeve të fuqishme, mund të mbesim në status kohë, që është mos zhvillimi i vendit dhe mos aftësia e një vendi për tu riintegruar në strukturën euroatlantike”, ka thënë ai. 

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Arifi ka sugjeruar se cila do qeveri që vije nga zgjedhjet e vitit 2025, të dërgoj draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, duke theksuar se vendimi përfundimtar është politik dhe ndikon në mënyrën se si do të transformohet sistemi politik i Kosovës.

“Cila do qeveri që do të vijë tani e ka më të thjeshtësuar po themi veprimin. E para që duhet ta bëjë është ta dërgoj draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese për ta parë mendimin e asaj. Sepse në fund te ditës, çdo vendim është politik, pra ne prapë do të duhet ta vendosim a do ta themelojmë, si do ta themelojmë, me kënd do ta themelojmë. Pra, janë disa procedura që përveç që janë ligjore, ka edhe politikë sepse në fund të ditës është vendim politik që shoqëria Kosovarë e merr si vendim se si do të duhej të dukej Kosova nga brenda. Sepse do të këtë ndryshime dhe transformim brenda sistemimit tonë politik  me këtë Asociacion, pra varet se çfarë konotacioni ne i japim”, ka thënë ai.

Politologu Albinot Maloku, ka thënë për EO se qeveria aktuale ka shpërputhje të mëdha mes premtimeve dhe veprimeve në procesin e dialogut.

Ai vuri në dukje se qeveria aktuale e ka ndërlidhur dialogun me rrugëtimin evropian të Kosovës, duke theksuar se kjo është hera e parë që ndodh një ndërlidhje kaq e drejtpërdrejtë. 

“Katër vite të mandatit qeverisës të Kurtit II është në shpërputhje me të gjitha ato premtime që janë dhënë. Për rrjedhojë edhe në dialog. Kemi shpërputhje nga ajo që është premtuar. Premtimi thelbësor ka qenë se nuk do të ketë hyrje në dialog ose vazhdim dialogu pa plotësim kushtesh. Le që është bërë dialogu, por ka ardhur edhe deri te një pajtim i cili ka qenë si pasoj e këtij dialogu, pajtimi i Brukselit dhe Ohrit për Kosovën çështjet të cilat janë bërë obligative. Prej të cilave nuk mund të ikë në asnjë mënyrë as kjo qeveri por edhe qeveritë e tjera që vijnë pastaj. Dështimet janë aty, regresi është aty, nuk është pritur që të ketë regres kaq të madhe edhe në çështjen e dialogut dhe çështjet të cilat e përcjellin dialogun. Qeveria aktuale dialogun e ka konvertuar në marrëveshjen e Brukselit si diçka që edhe rrugëtimin në BE e ndërlidh me çështjen e dialogut, ose me rolin të cilin do ta ketë ajo në raport me normalizimin e raporteve me Serbin. Kjo është hera e parë që ndodh që të kemi ndërlidhje të dialogut me përparimin dhe integrimin Evropiane”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se cila do qeveri e ka për obligim përparimin në dialog dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, pasi sipas tij, këto janë të domosdoshme për avancimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. 

“Çështja e Asociacionit është pjesë thelbësor e procesit të dialogut, të imponuar prej vitesh jo me vullnetin tonë mirëpo si pasoj e rrethanave te dialogut. Për rrjedhojë edhe qeveria aktuale pavarësisht largimi që është mundur që të ja bëjë kësaj çështje duke provuar që të nxjerr modalitet në përputhje me atë që është në realitet edhe qeveria e ardhshme e pret po e najat çështje. Pra çështja e Asociacionit, përparimi ne dialog, sidomos në qoftë se duam që të kem përparim drejt integrimeve Evropian dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Të ngjashme