Katër nga zyrtarët kryesorë për hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës nuk janë me në pozitat e tyre.
Shefi i Njësive rajonale për hetimin e krimeve ekonomike, Avni Namani, shefi i Krimeve Ekonomike për regjionin e Prishtinës, Halit Zhdrella, shefi i Hetimeve financiare Shkumbin Kadishani dhe shefi i Sektorit të korrupsionit, Shemsi Igrishta nga e enjtja nuk janë pjesë e Krimeve Ekonomike.
Siç ka mësuar Koha Ditore, largimi nga pozita e këtyre zyrtarëve ka ardhur pas një vendimi të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me zyrtarë në fjalë, por ata për shkak të arsyetimit se për këtë çështje ka vendosur hierarkia nuk kanë dashur të komentojnë vendimin e drejtorit.
Megjithatë, Qalaj në një bisedë me gazetën ka pranuar ndryshimet. Ka thënë se ndryshimet do t’i prekin edhe sektorët e tjerë e jo vetëm Departamentin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Qalaj ka pranuar se “ka dëgjuar për afera të ndryshme korruptuese brenda Drejtorisë së Krimeve Ekonomike”.