Çifti hollivudian Katy Perry dhe Orlando Bloom deri në fund të vitit do të duhej t’i shkëmbenin zotimet martesore, zbuloi burimi i revistës “People” i afërt me çiftin.
Burimi tha gjithashtu se çifti e kishte angazhuar një organizator dasmash për t’i finalizuar të gjitha detajet.
“Katy është ajo që e ka fjalën e fundit, por edhe Orlando është i përfshirë në planifikim. Gjëja më e rëndësishme është se ata nuk janë nën stres. Në ndejën martesore do të ftohen anëtarët më të afërt të familjes dhe miqtë e tyre,” tha burimi.
Edhe pse as Katy dhe as Orlando për këtë çështje nuk u prononcuan në publik, një burim zbuloi se ceremonia do të mbahet deri në fund të vitit, shkruan KOHA Ditore.
Kohët e fundit, mediat amerikane kanë raportuar se Katy e do një martesë të madhe me një njoftim pompoz dhe dasmë të madhe, por Orlando për këtë as që dëshiron të dëgjojë, sepse ai nuk dëshiron të bëjë spektakël prej martesës, por që ceremonia të zhvillohet në fshehtësi të plotë dhe me një rreth të ngushtë miqsh.
Katy dhe Orlando e filluan lidhjen në vitin 2016 ndërsa vetëm një vit më vonë njoftuan se ishin ndarë. Megjithatë, sivjet ata vendosën t’ia japin dashurisë edhe një shans. Për Ditën e Shën Valentinit, çifti njoftoi se ishin fejuar.
Unaza që e mori Katy nga Orlando kushtoi pesë milionë dollarë.
“Ndodhi në ditën e Shën Valentinit. Ishte e mahnitshme. Shkuam për darkë, dhe mendova se pastaj do të shkonim t’i shikonim disa vepra arti, por në vend të kësaj u futëm në helikopter. Ai më pyeti nëse do të martohesha me të në helikopter. Ateruam në një çati në Los Angeles dhe e gjithë familja dhe miqtë e mi ishin atje. E kishte organizuar shumë mirë”, tha Katy pas fejesës.
Kjo do të jetë martesa e dytë si për Orlandon ashtu edhe për Katyn. Orlando ishte i martuar tre vite me modelen Miranda Kerr me të cilën e ka djalin Flynn Christopher Bloom, ndërsa Katy ishte në një martesë dyvjeçare me komedianin Russell Brand.