Kazakistan, mbyllet takimi për sigurinë

Prishtinë | 04 Kor 2024 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Mbylli sot punimet forumi për sigurinë dhe mbrojtjen në Euroazi, që Moska dhe Pekini e shohin si një mjet për t’iu kundërvënë ndikimit të Perëndimit. Takimi i Organizatës së Shanghait për Bashkëpunim u mbajt në Astana të Kazakistanit.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping morën pjesë të enjten në një takim të nivelit të lartë në Kazakistan të një organizate sigurie të krijuar nga Moska dhe Pekini për t’iu kundërvënë aleancave perëndimore. Gjatë një takimi dypalësh më herët, presidenti rus tha se lidhjet mes Moskës dhe Pekinit po “përjetojnë periudhën më të mirë në historinë e tyre”.

Organizata e Shanghait për Bashkëpunimin u mblodh këtë radhë në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit. Gjatë një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, zoti Putin u shpreh se “bashkëpunimi ynë nuk orientohet kundër askujt”.

“Ne nuk krijojmë blloqe apo aleanca. Thjesht veprojmë në interes të popujve tanë”, shtoi zoti Putin.

Organizata e Shanghait për Bashkëpunim, e krijuar për t’iu kundërvënë aleancave perëndimore u ka dhënë mundësinë zotit Putin dhe zotit Xi për një takim të dytë në vetëm dy muaj, duke nxjerrë në pah partneritetin e tyre, përkundër rendit demokratik të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me synimin për një botë shumëpolare./VOA/

Të ngjashme