KB Rahoveci është kundër Rregullores së aprovuar sot nga Kuvendi Komunal, ku ia merr 20 për qind të të hyrave të biletave.
Kreu i KB Rahovecit, Bekim Hoxha në një prononcim për Koha.net ka thënë se një vendim i tillë është i papranueshëm, dhe për këtë do të marrin masa.
“Ne e kemi parë si draft gjatë diskutimit publik dhe i kemi dhënë disa komente lidhur me të. KB Rahoveci ka kërkuar edhe një takim që të diskutohet lidhur me këtë çështje, mirëpo si duket Kuvendi Komunal e paska aprovuar, edhe pse zyrtarisht nuk e kam këtë informatë. Realisht ne si klub nuk po pajtohemi me këtë absolutisht. Pas kësaj do të reagojmë me rrugë institucionale, dhe do të shikojmë mundësitë që kjo rregullore të anulohet pasi që ju e dini se shumica e klubeve, jo vetëm në komunën tonë, por në tërë Kosovën mezi mbijetojnë me sponsorë, mos të themi se fare nuk mund të gjejnë sponsorë e le më edhe të paguajnë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka thënë se KB Rahoveci është i gatshëm të kontribuojë në mirëmbajtjen e palestrës, duke paguar shfrytëzimin e saj.
“Ne si klub jemi të gatshëm të paguajmë shfrytëzimin e palestrës, nëse po flasim për çështjen e mirëmbajtjes, jemi dakord për atë sepse edhe kur e kemi shfrytëzuar palestrën në Gjakovë kemi paguar për shfrytëzimin e terminit për stërvitje”, ka thënë Hoxha për Koha.net.
KB Rahoveci ka paguar për shfrytëzimin e palestrës në Gjakovë shumën prej 50 euro për orë.
“Pagesa ka qenë 50 euro ora. Ajo nënkupton shfrytëzimin për 2 orë të ndeshjes, apo sa zgjatë ndeshja. Jemi dakord, që nëse Kuvendi Komunal ka nevojë për ato mjete, të paguajmë edhe të stërvitjeve edhe të të gjithave nëse thirren në emër të mirëmbajtjes së palestrës”, ka thënë ai.
E sipas Hoxhës është e papranueshme kjo situatë e krijuar, pasi është punuar gjatë që të rimëkëmbet sporti në këtë qytet.
“Klubi që pesë vite ka bërë iniciativa të ndryshme që të realizohet krejt kjo palestër dhe po vijmë në një moment kur, mos të them veç sa ka filluar të gjenerojë disa të hyra shumë shumë të vogla, me shitjen e biletave të na marrin 20 për qindëshin dhe nga reklamat fikse 40 për qind. Kjo është nonsens për neve dhe e papranueshme absolutisht, mirëpo do të shikojmë mundësitë tjera”, ka thënë ai.
Hoxha ka bërë të ditur masat që do të ndërmerr klubi në vazhdim.
ta dërgojmë një shkresë duke nisur nga kryetari e deri te institucionet e tjera përkatëse, që janë përgjegjëse. Do të shikojmë mundësinë institucionale që të gjejmë gjuhën e përbashkët. Jemi dakord që Palestra duhet të mirëmbahet, dhe jemi të gatshëm të paguajmë shpenzimet. Kur kemi arritur në një situatë që të kemi rezultate, tash po vijmë në një situatë kur parët që po i jep si subvencion klubit, ne duhet me i kthyer mbrapa”, ka thënë Hoxha.