Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Rahoveci, është përforcuar edhe me një amerikan në prag të ndeshjes së Superkupës së Kosovës që e zhvillon ndaj Sigal Prishtinës të martën e ardhshme.
Të premten është bërë e ditur se amerikani L.J. Booth i është bashkuar Rahovecit, duke e zëvendësuar grekun Rafail Tsourakis që është lënduar gjatë fazës përgatitore, transmeton Koha Ditore.
Booth edicionin e shkuar ka luajtur në elitën e basketbollit të Kroacisë, tek ekipi Sinji, kurse Rahovecit do t’i bashkohet të dielën. Rahoveci më herët ka transferuar edhe katër të huajë, amerikanët Alexander Bradford, Justin Gray e Edward Howard dhe kroatin Jura Gunjina.
Prej vendorëve ka angazhuar Alban Veselin e Leonard Mekajn. Në krye të ekipit është trajneri Neven Plantak, që ka fituar titull kampioni me Trepçën vite më parë.