Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar katalogun e çështjeve për komunën e Vitisë, që përfshinë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe bën prioritizimin e disa çështjeve esenciale që duhet të përfshihen në planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2020.
Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren, në këtë komunë janë identifikuar probleme në infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit, furnizimin me ujë të pijes, transport publik, gjendjen e shkollave, menaxhimin e mbeturinave dhe shërbimet shëndetësore.
Çështja e ujësjellësit paraqet problemin më të madh në komunën e Vitisë. Shumica dërmuese e fshatrave që është bërë hulumtimi kanë probleme me ujë të pijshëm, të cilat çështjen e ujit e konsiderojnë si kërkesë prioritare. Problem i madh në anën tjetër është edhe uji i kontaminuar në fshatra e shkolla të kësaj komune. Nga mungesa e sistemit të ujësjellësit, fshatrat furnizohen nga puset e në të shumtën e rasteve uji është i papijshëm.
Në shumicën e fshatrave të Komunës së Vitisë ka deponi ilegale të materialit ndërtimore dhe të materialeve tjera. Ndërsa në disa fshatra mbledhja e mbeturinave nga kompanitë përgjegjëse nuk bëhet fare.
Të gjitha detajet lidhur me këto problematika në Komunën e Vitisë, mund t’i gjeni në katalogun e bashkëngjitur në vijim, ndërsa në ditën në vazhdim, KDI do të publikoj katalogun e 8 komunave tjera të hulumtuara.
Për më tepër katalogu i çështjeve është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2019. Përgjatë kësaj periudhe kohore janë vizituar gjithsej 275 vendbanime (fshatra/ lagje). Qëllimi i këtij katalogu është që ta rrisë vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në konsultime publike me zyrtarët komunal.