Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se formimi i grupit punues në kuadër të MAPL-së për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.
Sipas KDI-së, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune.
“KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime”.
“KDI edhe më parë kishte vënë theksin tek rëndësia që udhëzimi administrativ të jetë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore. Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale”.
“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi”, thuhet në reagimin e KDI-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, KDI-ja tha se udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që sipas tyre, ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore dhe përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja nëse nuk arrihet kriteri prej 20 për qind të votuesve të regjistruar.
“Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”.
“Prandaj, në këto rrethana, KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në reagim.