Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar analizën “Ligji i ri i punës: Në mes të nevojës dhe kërkesave për ndryshim”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, raporton Ekonomia Online.
Sipas raportit, përkundër se kanë kaluar më shumë se 14 vjet nga hyrja në fuqi e Ligjit të punës, e ka pasur vazhdimisht tentime për ta ndryshuar atë, ky ligj vazhdon të mbetet i njëjtë e i pandryshuar.
Albesa Humolli, këshilltare ligjore në KDI, tha se kjo analizë ka synim ta rikthejë në diskursin publik çështjen e inicimit të ligjit të ri të punës duke vënë në pah nevojën për një ligj të ri, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, i cili garanton mbrojtje më të mirë për punonjësit në Kosovë.
“Padyshim që Ligji i punës ka impakt të gjerë. Çështja e ndryshimit Ligjit të punës ka qenë dhe vazhdon të jetë premtim i çdo qeverie, e premtimet për ndryshime kanë dështuar”, ka thënë Humolli.
Ajo ka thënë se edhe Qeveria aktuale e ka bërë po të njëjtën gjë, duke e larguar këtë ligj nga agjenda legjislative, në një kohë kur Kosovës i nevojitet shumë.
Sipas saj, nevoja për një ligj të ri është më evidente se kurrë, marrë parasysh numrin e madh të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në vendin e punës.
“Mungesa e kufizimeve të orarit, pushimit me kohë të plotë, çështje të punësimit modern, asnjëherë s’kanë arritur të adresohen, e që i bien në shpinë punëtorit, në veçanti atij të sektorit privat”, ka thënë Humolli mes tjerash.
Humolli ka thënë se shkak për këtë situatë konsiderohet edhe Ligji i stërvjetëruar i punës i cili nuk ofron as mbrojtje dhe as siguri të mjaftueshme për punonjësit.
“Shkak për këtë situatë konsiderohet edhe Ligji i stërvjetëruar i punës i cili nuk ofron as mbrojtje dhe as siguri të mjaftueshme për punonjësit. Rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror. Pastaj modeli i pagesës ka shfaqur probleme pasi shumë biznese e kanë të pamundur mbulimin e pagesës. Mangësi tjetër e ligjit aktual është çështja e kontratës me kohë të caktuar ku punëdhënësit shpesh e kanë keqtrajtuar, propozim kufizimi i çështjes së kontratës për punëdhënësit”, ka thënë Humolli.
Humolli përmendi edhe pjesën e punës së zgjatur pa pagesë, propozim detyrimi ligjor i hyrjeve dhe daljeve të punonjësve.
Sipas saj , ndërrimi i ligjit të punës është nevojë imediate marrë parasysh aspiratat e vendit për t’ju bashkuar tregut evropian të punës si dhe nevojës për përfshirje të 17 direktiva të Bashkimit Evropian që përcaktojnë standardet minimale në fushën e rregullimit të marrëdhënies së punës, raporton EO.
“Ligji i ri i punës duhet të reflektojë jo vetëm standardet minimale, por duhet të përfshijë edhe mbrojtje dhe siguri shtesë për të punësuarit në raport me mangësitë e evidentuar të tij. Në këtë drejtim ndryshimi i modelit të pagesës së pushimi të lehonisë dhe përfshirja e pushimit prindëror konsiderohen si nevojat më të mëdha të këtij ligji ashtu sikur edhe rregullimi i kontratave për kohë të caktuar dhe kufizimi i kohëzgjatjes së tyre”.
Humolli theksoi se qeveria aktuale, duhet të njoh mangësitë që ka ky ligj dhe të reflektojë në raport me nevojat dhe kërkesat për ndryshim të tij, duke rikthyer në programin legjislativ për këtë vit ligjin e ri të punës dhe duke ri-prioritizuar avancimin e marrëdhënies së punës në vend, si përgjigje ndaj numrit të madh të shkeljeve të raportuar të së drejtave në punë.