Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar analizën “Mirëmbajtja problematike e rrugëve, vonesat dhe favorizimet”, që shpërfaq gjetjet nga monitorimi i kontratës trevjeçare së Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës (2017-2019).
Në hapje të kësaj tryeze Arben Kelmendi, menaxher i Programit në KDI, tregoi që ky raport paraqet gjetjet nga monitorimi proaktiv i prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës (MI).
Kurse Fjolla Uka, hulumtuese në KDI, bëri të ditur se është analizuar procesi i prokurimit të kësaj kontrate duke filluar nga faza e planifikimit, faza e tenderimit – kriteret e vendosura në dosjen e tenderit, faza e shpërblimit si dhe ankesat e operatorëve dhe vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lidhur me këto ankesa.
Ajo ka vënë theksin në stërgjatjen e dhënies së kontratës nga MI për më shumë se një vit si rrjedhojë e ankesave të shumta të Operatorëve Ekonomik (OE) lidhur me vendimet e MI për dhënie të kontratës. Për shkak të mosshqyrtimit adekuat të ankesave nga ana e MI këta operatorë kanë deponuar ankesa në OSHP dhe kjo ka ndikuar në zgjatjen e procesit të prokurimit e si rrjedhojë edhe mbetjen e rrugëve pa mirëmbajtje. “Shumë ankesa të refuzuara nga MI si të pabazuara, janë aprovuar nga OSHP si të bazuara”, njoftoi Uka.
“Vonesat në dhënien e kontratave e kanë detyruar MI-në të lidhë kontratë emergjente për mirëmbajtjen dimërore, dhe atë me çmim më të lartë për 289,326.27 euro krahasuar me çmimin që do ta paguante sipas kontratës së rregullt”, ka shtuar më tej ajo.
Gjetje tjetër e këtij raporti është edhe fakti që MI qysh nga viti 2014 deri në vitin 2020 ka nënshkruar kontrata me operatorët e njejtë ekonomik.
Gjetje tjetër shqetësuese e këtij raporti janë edhe çmimet e ofertuara nga Operatorët Ekonomik fitues. Në kuadër të ofertave të OE-ve janë vërejtur çmime jo normalisht të ulëta. Shembull konkret, në Lotin Gjakova 1, MI ka shpërblyer me kontratë OE-në që ka ofertuar me çmim për orë pune të punëtorit prej 0.01 euro. Nëse e llogarisim pagën mujore për një punëtorë, sipas të dhënave të këtij OE-je, ky OE paguan punëtorin me pagë prej 1.68 euro në muaj.
Gjetjet e raportit apelojnë që planifikimi i procesit të prokurimit për mirëmbajtje të rrugëve të bëhet me kujdes, ndërsa procedurat e tenderimit të fillojnë me kohë.
Po ashtu njoftimet për aktivitete prokuruese duhet të publikohen në platformën e e-prokurimit konform kërkesave ligjore.
Gjithashtu KDI rekomandon që kriteret e vendosura në Dosjen e Tenderit të caktohen konform normave ligjore, në mënyrë që të mos dalin më pas ankesa që mund të ndikojnë besueshmërinë por edhe në vonesën e procesit të tenderimit. MI konform Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik tek kontratat me çmime për njësi duhet të përdorë metodën e poentimit, e që në kontratën konkrete të shqyrtuar në këtë raport nuk është përdorur.
KDI tutje kërkon që MI t’i respektojë vendimet e OSHP-së dhe t’i kthejë asaj përgjigje brenda afateve ligjore kur kjo e fundit ka kërkesa sa i përket dokumenteve që MI i ka në posedim. Për të parandaluar vonesat, KDI rekomandon edhe OSHP-në të merr vendime në afate më të shkurta kohore, gjithnjë konform dispozitave ligjore të LPP. Gjithashtu sugjerohet që ekspertët shqyrtues të OSHP-së të bëjnë shqyrtimin e detajuar të pretendimit ankimor të OE-ve dhe vendimet finale të OSHP-së duhet të jenë sa më konkrete.
Sipas KDI-së, OSHP-ja duhet ta penalizoj ose të nxjerr urdhër ndaj Autoritetit Kontraktues i cili nuk i respekton vendimet e saj dhe nuk është bashkëpunues gjatë kohës kur ndonjë aktivitet është në procedurë në OSHP.
Ky raport është pjesë e projektit për monitorimin e prokurimit publik në institucionet publike si Ministria e Inftrastrukturës, Shëndetësisë, Autoriteti Qendror i Prokurimit dhe Korporata Energjetike e Kosovës dhe financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.