Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme, duke kërkuar që procesi të përmbyllet brenda afatit kushtetues.
Sipas KDI-së, seanca u thirr pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit për përfundimin e procedurës së konstituimit, ndërsa mospropozimi i kandidaturës për kryetar të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve, pamundësoi vazhdimin e procedurave.
KDI ka vlerësuar se ndërprerja e seancës, në këtë fazë, nuk përbën shkelje të afatit apo rregullave procedurale, pasi afati kushtetues ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, instituti ka rikujtuar se, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, seanca konstituive duhet të përmbyllet më së largu deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
“KDI mirëpret çdo përpjekje serioze për dialog dhe arritjen e marrëveshjeve politike ndërmjet subjekteve parlamentare, por konsultimet politike nuk e pezullojnë detyrimin kushtetues për përfundimin e konstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e institutit.
KDI ka theksuar se dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese duhet të zhvillohen paralelisht, duke shtuar se bisedimet ndërmjet partive mund të vazhdojnë, sidomos për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas institutit, fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të mund të nisin procedurat e tjera kushtetuese, përfshirë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Në fund, KDI i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta ushtrojë pa vonesë të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, ndërsa deputetëve u ka kërkuar të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të kontribuojnë në funksionalizimin e plotë të legjislativit.