Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) prezantoi sot raportin “Fletënotimi Mjedisor i Komunave”, i cili ka analizuar dhe vlerësuar realizimin e premtimeve mjedisore të dhëna nga kryetarët e komunave gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, raporton Ekonomia Online.
Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se nga 880 premtime të identifikuara në programet zgjedhore të kandidatëve për kryetarë komune, 154 janë të lidhura drejtpërdrejt me mbrojtjen e mjedisit, duke përfaqësuar rreth 17.5% të të gjitha premtimeve të dhëna. Pavarësisht kësaj, vetëm 27.27% e këtyre premtimeve janë realizuar deri në fund të vitit 2024, duke treguar një përmbushje të ulët të angazhimeve për politikat e gjelbra.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, tha se projekti ka nxitur aktivizimin qytetar dhe ka analizuar premtimet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore për të vlerësuar realizimin e këtyre premtimeve. Ai shtoi se Kosova vazhdon të përballet me sfida të theksuara mjedisore, përfshirë ndotjen e ajrit dhe pasojat e saj në shëndetin e qytetarëve.
“Qëllimi i këtij projekti që e kemi filluar para dy vjetësh ka pasur disa objektiva të veta, në përkrahje të organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve, për të forcuar ndërveprimin mes tyre edhe institucioneve lokale me politikat e gjelbra edhe politikat mjedisore. Përmes këtij projekti kemi nxitur aktivizimin qytetar. Qëllimi i kësaj është që të analizojmë programet e partive politike, të cilat kanë qenë në fushata edhe për të nxjerrë një vlerësim mbi këto premtime edhe realizimin e këtyre premtimeve që ata kanë bërë për politikat e gjelbra. Raporti shqyrton nivelin e zhvillimit të këtyre premtimeve edhe synon që të ndihmojë institucionet në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare, përfshirë agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Paktin e Gjelbër Evropian me objektivat 2030 me vizion për një Evropë klimatike neutrale deri në vitin 2050. Kosova vazhdon të përballet me sfida të theksuara mjedisore, përfshirë ndotjen e lartë të ajrit që ka pasojë të drejtpërdrejta në shëndetin e qytetarëve”, tha Kryeziu.
Ardian Muçaj, hulumtues në KDI, gjatë prezentimit të raportit “Fletnotimi Mjedisor i Komunave”, tha se nga 154 vetëm 27.27% e këtyre premtimeve janë realizuar deri në dhjetor 2024.
Ai vuri në dukje mungesën e qartësisë në formulimin e programeve zgjedhore dhe se komunat duhet të veprojnë më shpejt për të realizuar premtimet e mbetura.
“Nga gjithsej 880 premtime të identifikuara në programet zgjedhore të 11 kandidatëve për kryetarë komune, 154 janë klasifikuar si premtime të gjelbra, që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e mjedisit. Kjo përfaqëson rreth 17.5% të të gjitha zotimeve të dhëna, duke treguar se çështjet mjedisore zënë një hapësirë ende të kufizuar brenda agjendave lokale të zhvillimit mjedisor. Megjithëse këto zotime përfaqësojnë një qasje të gjithanshme ndaj mjedisit, rezultatet në zbatim janë më modeste. Deri në dhjetor të vitit 2024, vetëm 27.27% e premtimeve të gjelbra janë përmbushur”, tha Muçaj.
“Megjithatë, përveç nivelit të ulët të realizimit, një sfidë tjetër serioze që ka dalë nga analiza jonë është mungesa e qartësisë në vetë formulimin e programeve zgjedhore. Në shumë raste, premtimet e gjelbra janë shumë të gjera, nuk përmbajnë detaje të mjaftueshme mbi mënyrën dhe afatet e realizimit të projekteve, burimet e financimit, si dhe mekanizmat për mirëmbajtje dhe qëndrueshmëri të zgjidhjeve të propozuara. Kjo mungesë e konkretizimit e zbeh besueshmërinë dhe vështirëson llogaridhënien”, shtoi Muçaj.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, foli për rëndësinë e premtimeve të qarta dhe të realizueshme dhe theksoi se, megjithatë, disa faktorë kanë ndikuar në realizimin e premtimeve të mjedisit. Ai e vlerësoi monitorimin si mundësi për reflektim dhe përmirësim të mëtejshëm.
“Është mirë që premtimet e çështjeve mjedisore të jepen të qarta, të jenë në përputhje me mundësitë objektive dhe të ndërthurura me faktorët që ndikojnë në përmbushjen e tyre. Fakti që ne kemi rreth 84 premtime në përgjithësi, 22 prej tyre janë për çështjen e mjedisit, është dëshmi e kujdesit edhe përkushtimit të komunës. Nuk jemi të kënaqur për shkak se ndikojnë edhe faktorët e tjerë në përmbushjen ose në shkallën e përmbushjes së premtimeve. Ky monitorim që ka ndodhur është mundësi për të reflektuar për të gjitha ato që kemi bërë edhe për hapësirën e nevojshme që e kemi në pozicion përpara dhe ta përmbushim që premtimet tona të jenë në përputhje me realitetin dhe jo premtime në letër”, tha Latifi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vuri në pah mungesën e informacioneve dhe komunikimit të duhur për disa projekte mjedisore, duke përmendur edhe ndonjë projekt të realizuar pjesërisht.
“Nga analiza që bëhet duket që kemi edhe mungesë të informacioneve dhe mungesë të komunikimeve të mira me organizatat që kanë kryer këto punë. Po marrë disa pika: pyllëzimi i sipërfaqeve pyjore që thotë nuk ka filluar, është një projekt që është bërë në fillim të mandatit, që kemi punuar në një pjesë të sipërfaqeve që kanë qenë të shpyllëzuara. Te mbjellja e 20 mijë drunjve që kemi pasur, është një projekt që 1/3 e këtij projekti e kemi realizuar deri tash. Kemi edhe një varg projektesh që i kemi realizuar, por që nuk kanë qenë pjesë e premtimeve që kemi dhënë. Pastaj furnizimi me ujë të pijshëm në fshatra dhe lagje të qytetit nuk ka filluar, nuk qëndron kjo”, tha Bulliqi.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, theksoi se programet zgjedhore nuk janë thjesht premtime, por një vizion. Ai tha se është tepër e vështirë të komunikohet me qeverinë qendrore.
“Programet zgjedhore nuk janë dokumente zgjedhore, ato paraqesin një vizion. Pjesa tjetër është politikë. Një gjë e ka përsëritur, nuk i kam bërë 61 premtime, ndoshta 400 premtime i kam bërë se duhet t’i zbërthejmë. Nëse them unë që do t’i kryej të gjitha rrugët publike që kanë mbetur, ndoshta 250 rrugë janë. Qytetarët e kanë kuptuar që do të rregulloj edhe rrugën e tij. Sinqerisht mbi 400 premtime janë në program të shkruara. Ne i kemi disa çështje, të cilat duhet t’i kuptojmë gjithashtu ne. Jemi vonë edhe jemi shumë ngadalë duke shkuar si shtet. Të komunikosh me Qeverinë e Kurtit është aq zor, sikur me qenë duke komunikuar me ndonjë qeveri donatore të jashtme. Nuk është e drejtë që qeveria të jetë kaq e mbyllur dhe e vështirë përballë qeverive lokale, sepse komunat janë të Kosovës dhe qeveria e ka për obligim t’i dëgjojë hallet e tyre”, tha Gjini.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se për shkak të kufizimeve financiare dhe mundësive të pakta, realizimi i disa projekteve të gjelbra është i vështirë.
“Unë si kryetar i komunës duke ditur pamundësinë që komuna e Kaçanikut e ka për të realizuar këto projekte, në fakt kemi qenë të besuar nga qeverisja e re që erdhi në fillim dhe një premtim që ishte ka qenë garancia e katërt qeveritare që ka qenë një shumë 600 milionë euro, duke llogaritur që komunës së Kaçanikut përqindja që i bie nga kjo diku 2 për qind, ne kemi llogaritur që për katër vota do të përfitojmë 12 milionë. Pikërisht ato projekte që kemi llogaritur nga ai grant qeveritar unë i kam bërë me fusnotë dhe ia kam shtuar këto projekte, do të jenë të realizueshme nëse implementohet granti i katërt qeveritar. Aty janë 7-8 projekte që me kostot që kanë nuk mund t’i realizoj nga mbështetja e nivelit qendror”, tha Ilazi.



