Donald Trump sërish fajësoi të dyja palët për dhunën në Sharlotsvill në Virxhinia, duke shkaktuar reagime nga i gjithë spektri politik, madje edhe pretendime se Presidenti duhet të kërkojë falje për fjalët që tha, transmeton Klan Kosova.
Në një deklaratë të bërë të hënën, Trump dënoi supremacistët e bardhë dhe prapë u kritikua sepse reagimi i tij ishte i vonuar. Por, në një konferencë për shtyp në Nju Jork, ai gjithashtu fajësoi mbështetësit e së majtës që sulmuan ata të së djathtës.
Komentet e tij të fundit morën kritika të shpejta, duke përfshirë edhe disa republikanë të shquar.
Senatori John McCain, një kritik i shpeshtë i z. Trump, shkroi: “Nuk ka ekuivalencë morale midis racistëve dhe amerikanëve që qëndrojnë në këmbë për të sfiduar urrejtjen dhe fanatizmin”.
Sipas analistëve, të hënën Trump dënoi ekstremistët e djathtë sepse ngulën këmbë këshilltarët e tij për të shmangur stuhinë politike, ndërsa në konferencën për shtyp tha atë që mendonte vetë pa pyetur njeri.
Përveçse ndau fajin mes amerikanëve të thjeshtë dhe racistëve, supremacistëve të bardhë e nazistëve, Trump gjithashtu tha nëse duhen hequr statujat e Presidentëve Xhorxh Uashington dhe Tomas Xheferson që dikur kishin zotëruar skllevër.