Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka reaguar pasi Komisioni Evropian i rekomandoi Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që t’i vënë viza Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Bajrami e ka quajtur të papranueshme këtë qasje.
“Absolutisht e papranueshme për Komisionin Evropian ta renditë Kosovën si një nga vendet e treta të kërkuara për viza që kërkon nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që të prezantojnë viza për Kosovën”, shkroi Bajrami.
Bajrami tha se është edhe shqetësuese mohim i liberalizimit të vizave për Kosovën për vite me radhë.
“Veçanërisht shqetësuese pasi Kosovës me vite iu mohua padrejtësisht liberalizimi i vizave. Dyfish, pasi e gjithë kjo vjen pas marrëveshjeve të Procesit të Berlinit”.
Javën e shkuar, ambasadorët e vendeve anëtare të BE ranë dakord për dritën e gjelbër të bisedimeve të Presidencës së Këshillit Evropian me Parlamentin Evropian mbi liberalizimin e vizave të Kosovës.